Gazprom mbyll rubinetat pa afat

Bien aksionet në bursat amerikane, pasiguri për ngrohjen në dimër

Europa e Bashkuar e ka vënë në dyshim pretendimin e rusëve se duhet më tepër kohë për mirëmbajtjen e turbinave duke e akuzuar Kremlinin se po e përdor gazin si armë pas mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.

Në vend që të zbatojnë kontratat e furnizimit me gaz për Gjermaninë dhe shtetet e tjera europiane, rusët po djegin sasi të mëdha gazi pranë kufirit finlandez. Edhe pse djegia është e zakonshme në këtë industri, Rusia ka djegur gaz me vlerë rreth 10 milionë Dollarë çdo ditë për dy muaj, ndërsa Europa vuan pasojat e krizës energjitike. Ekspertët e cilësojnë atë si një fatkeqësi mjedisore.

Çmimet e gazit në Europë janë rritur gati dhjetë herë sa çmimi mesatar gjatë dekadës së fundit. Frika nga mungesa e gazit natyror ka çuar në nivele rekord kontratat e së ardhmes për energjinë elektrike në Francë dhe Gjermani.

Gjermania shpalli një krizë gazi në Qershor – dhe paralajmëroi se konsumatorët dhe bizneset duhet të ulin konsumin e tij. Konsumi ka rënë me rreth 20%. Njoftimi i Gazprom erdhi pasi bursat europiane ishin mbyllur ndërsa tronditjen e pësuan ato amerikane ku aksionet e Wall Street ndryshuan kursin, duke rënë ndjeshëm.

Tregjet bënë një kthesë 180 gradë pasi shqetësimet u rritën pas vendimit rus për të mos hapur rubinetat e furnizimit me gaz me dimrin që po vjen dhe nevojat për ngrohje po shtohen. Njoftimi nga Gazprom erdhi në të njëjtën ditë kur vendet e G7 thanë se do të punonin për të zbatuar shpejt një kufizim çmimi në eksportet e naftës ruse, një veprim që do t’i jepte Kremlinit të ardhura kritike për përpjekjet e tij të luftës.

Përshkallëzimi dramatik i krizës energjetike vjen pikërisht kur çmimet po uleshin dhe kontinenti i vjetër po përpiqej të zbatonte masa emergjente për të kaluar dimirn.

Nëse mbyllja e tubacionit kryesor rus që furnizon me gaz Europën vijon, vihen në rrezik familjet, fabrikat dhe ekonomitë, duke dobësuar Evropën ndërsa ajo po mbështet Ukrainën.

Ndalimi i plotë i gazsjellësit Nord Stream, tubacioni i të cilit kalon nën detin Baltik drejt Gjermanisë, do të linte vetëm dy rrugë kryesore që furnizojnë me gaz Bashkimin Europian: njëra nëpërmjet Ukrainës dhe tjetra Rrjedha Turke përmes Detit të Zi. Furnizimet përmes Ukrainës janë ndalur, ndërsa Rrjedha Turke në jug të Europës po funksionon pa ndërprerje.

BE po shqyrton ndërhyrje të paprecedentë në tregun e energjisë, duke përfshirë kufijtë e çmimeve, reduktimin e kërkesës për energji taksat mbi fitimet dhe furnizime alternative si gazi natyror i lëngshëm nga SHBA dhe nga Kazakistani nëpërmjet gazsjellësit TAP.

Klan News

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share