Qytetarët e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë së tyre
Qeveria spanjolle do të ulë TVSH-në për gazin nisur nga muaji Tetor për të reduktuar ndikimin e rritjes së çmimeve të gazit për familjet. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Pedro Sanchez.
Qyetarët spanjollë e mirëpritën këtë vendim të qeverisë së tyre, por kërkuan zgjidhje afatgjata.
“Nëse nuk duam energji bërthamore, do të duhet të mbështetemi tek burimet e rinovueshme, më duket se do të ishte më mirë për të ardhmen. E di që ndoshta është e shtrenjtë, por mendoj se nuk do të na duhet të varemi nga gazi nga Algjeria apo nga Rusia”.
Kostot e energjisë kanë shkuar në stratosferë që kur Rusia sulmoi Ukrainën në Shkurt, pasi Rusia është furnizuesi kryesor i gazit natyror në Europë.
Spanja është angazhuar me partnerët e Bashkimit Europian për të reduktuar përdorimin e gazit me 7% edhe pse deri më tani konsumi i gazit në Spanjë është rritur në krahasim me vitin e kaluar. Vala e të nxehtit ka shkaktuar një rritje të kërkesës për energji elektrike për pajisjet ftohëse.
Klan News