Erdogan – Putinit: Turqia mund të ndërmjetësojë për centralin e Zaporizhjas

Turqia mund të ndërmjetësojë përplasjet [mes Moskës dhe Kievit] për termocentralin bërthamor të Zapoirzhjas, i tha presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, homologut rus, Vladimir Putin në një telefonatë më 3 shtator.

“Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia mund të luajë një rol lehtësues në termocentralin bërthamor të Zaporizhjas, ashtu siç bëri në marrëveshjen e grurit”, tha zyra e Erdoganit në një deklaratë, duke iu referuar një marrëveshjeje të eksportit të grurit të nënshkruar në korrik nga Rusia dhe Ukraina, e cila u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia.

Zaporizhja, që ka rënë nën kontrollin rus pak ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, është centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Më 18 gusht në Lviv të Ukrainës, presidenti ukrainas, Zelensky është takuar me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ku kanë diskutuar për centralin bërthamor të Zaporizhjas.

“Ne jemi të shqetësuar. Nuk duam një Çernobil tjetër”, tha Erdogan gjatë konferencës për media pas takimeve në Lviv.

Forcat ruse dhe ukrainase kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës, duke ngritur shqetësime për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.

Inspektorët nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që vizituan centralin këtë javë, shprehën shqetësimin për “integritetin fizik” të objektit./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share