Tv Klan, gati për sezonin e ri

Larmi programesh në ekranin më të madh të shqiptarëve

Televizioni Kombëtar Klan është gati për rikthimin e sezonit, duke premtuar një programacion më cilësor, plot ngjyra dhe risi në ekranin më të madh të shqiptarëve.

Emisioni Opinion, që këtë vit shënon 25-vjetorin e tij, do të startojë këtë të enjte, më 1 shtator, duke çelur kështu serinë e programeve më të ndjekura në vend.

Aldo Morning Show, do të vijë nga e hëna e ardhshme, në një format të ri dhe me një ekip simpatik gazetarësh. Nga studio e re, ata do të përcjellin aktualitetin në mënyrën e tyre origjinale, në programin që shoqëron mëngjeset e shqiptarëve prej 15 vitesh.

Dhe pas Aldos, zonja Vjollca dhe Katerina, do të na rikthejnë shijen e shtëpisë, me recetat e dashura dhe këshillat e dobishme në një dekor të ri dhe të ngrohtë. Tamam si në shtëpitë tona.

Ndryshime dhe freski do të sjellë Rudina, çdo pasdite, ku rubrikat e reja të emisionit dhe të ftuarit e veçantë do të trajtojnë temat më të ndjeshme të familjes dhe shoqërisë shqiptare. Pa harruar argëtimin, personazhet e njohur, muzikën dhe artin.

Dyshja serioze, Saimiri dhe Genti, në emisionin investigativ më të ndjekur në vend, bashkë me ekipin e palodhur të gazetarëve janë gati për serinë e ‘scoop’-eve të tyre, që shpesh kanë tronditur shoqërinë shqiptare.

Ardit Gjebrea, me të dielën e tij të pazëvendësueshme në çdo ekran shqiptar, tashmë prej 14 vitesh, është gati me plot surpriza për këtë sezon të ri.

Këtë sezon, në Tv Klan rikthehet Dance With Me, programi fantastik i dyshes Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Konkurrimi në kërcim, do të pasohet po në këtë sezon nga spektakli i madh X Factor, ku Grabocka dhe Vejsiu do të zbulojnë talentet e reja mbarë shqiptare të këngës.

Ata që nuk iu kanë munguar edhe gjatë verës, janë duke bërë provat e fundit për të risjellë shown më të bukur të humorit. Klanifornia, me personazhet e famshëm por dhe me talente e numra të rinj, do të sjellë spektaklin e pakonkurueshëm të mbrëmjeve të së shtunës.

Dhe nga një motër, tani bëhemi me dy. Këtë sezon, në ekranin e Tv Klan vjen çdo të premte, Luana Vjollca. “S’luan dot me mua”, është show i madh televiziv që moderatorja dhe autorja e njohur po përgatit tashmë për publikun shqiptar. Emrat më të famshëm të botës së spektaklit dhe showbizit, do të ndeshen mes tyre në një super program që starton së shpejti.

Nuk do të mungojnë edhe këtë sezon emisionet javore, tashmë të provuara me suksesin e tyre në Tv Klan. Aventurat e bukura të Alma Çupit në çdo cep të Shqipërisë, kronika kulturore më e plotë në vend e Orinda Hutës me jo vetëm modë dhe udhëtimet anembanë botës të Albana Nanaj me Check-in e saj.

Ata që presin me padurim serialet e rinj, por dhe rikthimin e personazheve të njohur si Osmani apo Asije tek “I pabesë”, nga e hëna, 5 shtator, nisin me episodet e reja premiere. Çdo pasdite fillon edhe seriali më i ri “Pendimi” me aktoren e preferuar nga serialet e mëparshme të transmetuara në Tv Klan.

Ka edhe më shumë. Kampionët e zemrave kuqezi, nuk mund të mungonin në ekranin kampion. Që në fillim të këtij sezoni, ndeshjet vendimtare të kombëtares sonë të futbollit, do të vijnë në Tv Klan.

Ne jemi gati. Tv Klan është klani juaj.

Tv Klan

https://www.youtube.com/watch?v=OMOTMVBSfuo

Lexo gjithashtu
Total
0
Share