Raketa e re e rikthen SHBA-në në Hënë pas 50 vitesh
Pesëdhjetë vjet pas përfundimit të programit historik “Apollo”, sot fillon programi i ri hapësinor amerikan “Artemis”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit SHBA nis kështu misionin e saj për t’u rikthyer në Hënë, për herë të parë që nga viti 1972 kur ata vendosën për herë të fundit këmbën në satelitin e Tokës.
Nëse diçka shkon keq për shkak të një problemi teknik ose të kushteve të këqija atmosferike data 2 ose 5 Shtator janë dhënë si data alternative të nisjes.
Agjencia hapësinore amerikane po bëhet gati që të nisë një raketë të re drejt Hënës të quajtur Space Launch System. Kjo raketë është mjeti më i fuqishëm që ka zhvilluar ndonjëherë NASA.
Ajo do të rrotullohet rreth Hënës në një hark të madh dhe pas gjashtë javësh do të kthehet në Tokë dhe pritet të zbresë në Oqeanin Paqësor.
Raketa pritet të niset nga Qendra Hapësinore Kennedy në orën 08:33, sipas kohës lokale dhe ku 200.000 persona pritet të mblidhen për të parë këtë mision. Kjo raketë synon që të dërgojë një kapsulë testuese, të quajtur Orion, shumë larg nga Toka.
Kapsula Orion nuk do të ketë ekuipazh në këtë rrugëtim, por nëse hardueri funksionon siç duhet, astronautët më pas do të mund të ngjiten në bordin e saj në misionet e ardhshme dhe më komplekse, që pritet të nisin nga viti 2024.
Klan News