Kasami: Grubi në mënyrë të paligjshme ka nënshkruar vendim, me të cilin ish objekti i shkollës medicinale në Tetovë i jepet Kadastrës së Tetovës

Sikur nuk mjaftoi neglizhenca e plotë e qeverisë me vërshimet dhe dëmet që pësuan tetovarët gjatë ditëve të kaluara, Tetova edhe njëherë po ballafaqohet me një vendim të mbrapshtë dhe jashtë çdo logjike të Qeverisë së Kovaçevskit dhe të BDI-së.

Fatkeqësisht qeveria, konkretisht BDI nuk mund të pajtohet me faktin që qytetarët e Tetovës e dënuan për politikat e mbrapshta dhe hakmarrëse ndaj Tetovës. Jashtë çdo logjike të shëndosh, LSDM dhe BDI vazhdojnë me hakmarrjen ndaj Tetovës dhe qytetarëve të saj. Konkretisht, në mënyrë hakmarrëse, Artan Grubi, ka nënshkruar një vendim, me të cilin godina e vjetër e shkollës medicinale i jepet në shfrytëzim të përhershëm Kadastrës së Tetovës. Siç mund të shihet, me këtë vendim ky objekt i jepet në shfrytëzim Kadastrës pa asnjë nevojë dhe pa u konsultuar me askënd. Ne e vlerësojmë këtë vendim si arbitrar dhe si një hakmarrje për t’i dënuar nxënësit e Tetovës dhe arsimin në Tetovë, kur dihet se ky objekt është shfrytëzuar për mësim më herët, por edhe aktualisht.

Ky vendim është një tendencë dashakeqe e Grubit për t’i dëmtuar nxënësit tetovarë dhe për të krijuar probleme të panevojshme, në kohën kur arsimi në Tetovë ka nevojë për hapësira dhe modernizim. Qeveria LSDM-BDI, me këtë vendim i atakojnë nxënësit e Tetovës, duke u pamundësuar atyre që të kenë hapësirat e nevojshme për proces mësimor normal. Kjo është goditje edhe për trashëgiminë arsimore të Tetovës, kur dihet se kjo godinë me vite ka nxjerrë gjenerata të nxënësve edhe në kohët më të vështira dhe më të egra për Tetovën. Ky vendim është vendim turpi dhe hakmarrje, vendim që nuk është marrë as në kohërat më të këqija për Tetovën.

Në vend që qeveria të ofrojë investime për t’i zgjeruar hapësirat për mësim dhe për t’iu krijuar nxënësve kushte më të mira, ajo e bën të kundërtën, ua merr hapësirat vetëm për të kënaqur mllefin e humbjes të funksionarëve të BDI-së, që qytetarët i dënuan me votë.

Me këtë vendim qeveria e RVM, ka shkelur Ligjin për arsim fillore dhe të mesëm. Ndryshimet e Ligjit për arsim të mesme janë bërë në vitin 2004, ku pronësia ose objektet shkollore dhe pasuria e patundshme e shkollave transferohet tek pushteti lokal respektivisht u jepen komunave.

Në Nenin 112, Paragrafi 1 i Ligjit për arsim të mesëm thuhet:

Pronësia e objekteve shkollore dhe prona e shkollave të mesme nga paragrafi 1 i këtij neni me vendim të Qeverisë i kalojnë komunës.

Ndërsa me vendimin e fundit qeveria Kovaçevski-Ahmeti, jo vetëm që ka shkelur Ligjin për arsim të mesëm, por në të njëjtën kohë nuk njeh edhe vendimet e vetë qeverisë. Një vendim i jashtëligjshëm i qeverisë me të vetmin qëllim për të dëmtuar arsimin në Tetovë.

Si kryetar i Komunës së Tetovës, që përfaqëson vullnetin e tetovarëve i bëj ftesë qeverisë që në mënyrë urgjente ta rishqyrtojë këtë vendim, sepse godina e vjetër e mjekësisë i takon sferës së arsimit dhe nuk mund që për mllefe personale të destinohet për qëllime tjera.

I bëjmë apel qeverisë që të sillet me përgjegjësi ndaj Tetovës dhe jo ta diskriminojë dhe ta atakojë.

Për vendimin në fjalë ne do të informojë të gjitha përfaqësitë diplomatike në vend, ambasadën e SHBA, OSBE, UNICEF, se këtu shkelen të drejtat e fëmijëve dhe qytetarëve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share