Putini injoron humbjet në Ukrainë, reklamon armët moderne

Rusia është e gatshme t’u shesë arme të përparuara aleatëve në Amerikën Latine dhe Azi

Duke u përpjekur të largojë vëmendjen nga dështimet ushtarake në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin tha se Rusia është gatshme t’u shesë armë të përparuara aleatëve dhe të bashkëpunojë në zhvillimin e teknologjisë ushtarake.

Me forcat ruse të mundura në dy qytetet më të mëdha të Ukrainës dhe me përparime të ngadalta e me kosto të rënda njerëzore në provincat lindore, lufta deri më tani ka rezultuar jo bindëse për industrinë ruse të armëve. Por Putini, duke iu drejtuar një ekspozite armësh jashtë Moskës, këmbënguli se armatimet ruse janë shumë vite përpara konkurrencës.

Rusia i vlerëson lidhjet e saj të forta me Amerikën Latine, Azinë dhe Afrikën dhe është e gatshme t’i furnizojë aleatët me një gamë të plotë armësh nga ato të vogla deri te automjetet e blinduara, artileria, avionët luftarakë dhe dronët, tha Putini. Pothuajse të gjitha janë përdorur më shumë se një herë në operacione të vërteta luftarake”.

Oferta e Rusisë përfshin armë me precizion të lartë dhe robotë.

Rusia renditet e dyta vetëm pas Shteteve të Bashkuara në shitjen e armëve me një xhiro vjetore prej rreth 15 miliardë dollarë në vit, gati një e pesta e tregut global të eksporteve. Humbjet në Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare pritet të japin efektet e tyre për dobësimin e industrisë ushtarake të Rusisë.

Nga ana tjetër, Ukraina ka përdorur efektivisht armatimin e furnizuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht Sistemin e Raketave HIMARS me të cilin i ka shkaktuar shumë humbje Rusisë.

Për të shtuar persionin ndaj Rusisë presidenti ukrainas Volodymir Zelensky po kërkon nga BE-ja të ndalojë lëshimin e vizave për turistët rusë. Për këtë nuk është arritur një mendim unanim brenda BE-së, por presioni po rritet. Kancelari gjerman Olaf Scholz ndërsa fillimisht ishte kundër idesë, tani tha se ka vend për diskutim.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share