Kampioni i botës në kategorinë IBF International në peshën “welter”, Boksieri shqiptar Florian Marku, nga Anglia ka ardhur në Tiranë për të vijuar përgatitjet për duelin e 25 gushtit. Ai në stadiumin “Air Albania”, do të përballet me meksikanin Migel Parra Ramirez.
Kjo sfidë është e vlefshme për titullin e përkohshëm kampion bote në kategorinë WBC Silver. Që prej konfirmimit të këtij dueli, Marku ka qëndruar në Shefild, në shtëpinë e tij, ku dhe është stërvitur rregullisht. Ndërsa nga sot, stërvitja do të vijojë në Tiranë ku dhe do të zhvillohet dueli.
“Nisem për në Shqipëri për të përfunduar përgatitjet për duelin e 25 gushtit. Ju pres të gjithëve në stadium për të më mbështetur dhe kaluar një mbrëmje të paharrueshme”, thotë Marku, që fton tifozët e tij të jenë të shumtë në “Air Albania”.
Deri më tani, faza përgatitore ka shkuar mirë dhe Marku duket në formë për këtë sfidë.
Boksieri shqiptar nga Lushnja është i pamposhtur në karrierën ka 12 lufta prej të cilave 11 fitore dhe vetëm 1 barazim. Fitoren e radhës do ta shënoj para fansave të tij.