Universiteti i Evropës Juglindore përveç infrastrukturës investon në krijimin e superstrukturës akademike

Universiteti i Evropës Juglindore si universitet i parë dhe i vetëm privat publik jofitimprurës në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon krahas ofertës akademike i ka zgjeruar edhe mundësitë e praktikës, jo vetëm në kompani të njohura, por edhe me krijimin e kapaciteteve të veta të superstrukturës akademike. Vetëm gjatë katër viteve të fundit janë hapur tre laboratorë, që krejtësisht janë në shërbim të studentëve dhe stafit për hulumtime shkencore.

Në kuadër të Fakultetit Juridik, vitin e kaluar u hap laboratori i Forenzikës, që do t’ju shërbejë në radhë të parë studentëve të drejtimit Kriminalistikë dhe Siguri, për realizimin e pjesës praktike të studimeve. Laboratori është i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, duke filluar nga materialet për ekspertizë të krimit në vendin e ngjarjes deri të përbërësit e ndryshëm kimik dhe aparaturës për këqyrjen e vendit të ngjarjes.

“Synimi ynë, si Universitet, gjithmonë ka qenë që studentët tanë dijen teorike, që me shumë cilësi e marrin gjatë studimeve, të njëjtën të kenë mundësi ta zbatojnë në praktikë. Librat nuk t’i mësojnë të gjitha dhe praktika është ajo që studentin e aftëson profesionalisht”, thotë rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti.

Ky është një laboratorë unik, i pari që funksionon në kuadër të Universiteteve në Maqedoninë e Veriut dhe është i pajisur për të kontribuar në aftësimin profesional të studentëve të nevojshëm për tregun e punës.

Me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-ve, në Shkup, në vitin 2019, u hap Klinika Juridike, e cila u mundëson studentëve të mësojnë në praktikë se si zhvillohet një proces gjyqësor.

Për studentët e Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, përveç laboratorëve kompjuterikë, është hapur VR Lab, që u mundëson atyre trajnime  dhe aftësimin e nevojshëm për tu angazhuar në institucionet  që merren me menaxhimin e krizave. Ky është laboratori i parë në rajon i Realitetit Virtual (RV) dhe të Shtuar (AR).

Përveç laboratorëve, dy qendra të rëndësishme janë hapur,  ku UEJL-ja është partnerë kryesorë dhe implementues, Qendra Rinore për Resurse – iCane, në Gostivar dhe Future Next Skills, në Tetovë.

Hapja e qendrës iCan është mbështetur përmes projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), i kofinancuar edhe nga Komuna e Gostivarit. Kjo qendër u mundëson të rinjve gjetjen sa me reale të profesionit të tyre, duke ju dhënë trajnime, këshilla dhe punëtori të ndryshme për t’i shprehur dhe realizuar aftësitë dhe ëndrrat e tyre.

Qendra për Shkathtësi të së Ardhmes – Future Next Skills, është qendra e dytë, ku UEJL është është partneri kryesor dhe implementues i projektit. Kjo qendër është mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Qendra mundëson krijimin e shkathtësive të së ardhmes për studentët, por i shërben edhe komunitetit më të gjerë.

Për vitin e ri akademik, Universiteti i Evropës Juglindore, në konkursin e bërë publik, pritet të regjistroj studentë në gjashtë fakultete, kur risi këtë vit është fillimi i funksionimit të Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, fillimisht me dy programe studimore trevjeçare, Infermieri dhe Fizioterapi.  Për këto drejtime, tashmë janë siguruar pajisje dhe do të hapen edhe dy laboratorë të specializuar në fushën e shëndetësisë.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share