AUTORITETET SHPREHIN BINDJEN – MAQEDONIA E VERIUT ËSHTË NË ANËN E VËRTETË
Rusia e vlerëson si “gabim të madh” vendimin e Maqedonisë së Veriut që të dërgojë në Ukrainë tanke luftarake. Agjencia TASS e përcjell reagimin e Ministrisë Rusë të Punëve të Jashtme, në të cilin shtohet se donacioni do t’i mbështesë aktivitetet kriminale të Kievit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Moskë, Marija Zaharova, dërgimin e tankeve nga Maqedonia e Veriut në Ukrainë e sheh si të dëmshëm për civilët në zonën e Donbasit.
“Këtë e konsiderojmë gabim të madh të Maqedonisë së Veriut. I shtyrë nga frymë e besnikërisë ndaj NATO-s, Shkupi luan rolin e pompimit të Ukrainës me armë, duke i mbështetur aktivitetet kriminale të Kievit kundër civilëve në Donbas. Njerëzit që angazhohen për demokraci nuk duhet të inkurajojnë përshkallëzim të mëtejshëm” deklaroi Marija Zaharova MPJ, Rusi.
Ministria e Mbrojtjes në Shkup para pesë ditëve konfirmoi se Maqedonia e Veriut do të dërgojë tanke të tipit T-72 si donacion për Ukrainën, me sqarimin se bëhet fjalë për tanke të vjetëruar të gjeneratës së tretë, jo të përshtatshëm me pajisjet e reja të Armatës së Maqedonisë së Veriut, për të cilat në të ardhmen në mënyrë plotësuese do të shpenzohen para për shkatërrimin e tyre. Ministrja Sllavjanka Petrovska në takimin e lamtumirës me ambasadoren e Ukrainës e ka konfirmuar angazhimin për ndihmë të Ukrainës.
“Maqedonia e Veriut është në anën e vërtetë të historisë. Vazhdojmë me mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Në Evropë në shekullin 21 nuk ka vend për aggresion të hapur dhe për vuajtje. Angazhimi i NATO-s për mbështetjen e qytetarëve ukrainas dhe të vendit në mbrojtje të agresionit të pajustifikuar rus është pa mëdyshje,” deklaroi Sllavjanka Petrovska, Ministre e Mbrojtjes.
Maqedonia e Veriut në disa drejtime ka dhuruar pajisje ushtarake për Ukrainën. Në raport të pajisjeve në Armatën e RMV-së, Ministria thekson se batalioni i deritanishëm i tankeve është planifikuar të shpërndahet dhe të prokurohen pajisje të reja, në pajtueshmëri me standardet e NATO-s./KlanMacedonia/