Pas vendimit të marrë pak ditë më parë nga Sebastian Vettel për t’u tërhequr nga garat e Formula 1, ka nisur një “garë” e fortë jashtë piste se cili do të jetë zëvendësuesi i tij te skuadra e Aston Martin. Vetë Vettel, 4 herë kampion bote në Formula 1, i ka sugjeruar skuadrës emrin e patriotit të tij, Mick Schumacher.
“Të mërkurën kam biseduar me pronarin e skuadrës së Aston Martin dhe kemi diskutuar edhe në lidhje me atë se cili do të jetë piloti që do të më zëvendësojë. Unë i dhashë mendimin tim, duke sugjeruar Mick Schumacher. E pranoj që ndoshta mendimi im mund të mos duket objektiv, pasi jam shumë i lidhur me të”, tha Vettel.
Duke argumetuar këtë zgjedhje, piloti gjerman shton: “Është një pilot i ri, që mëson shumë shpejt, ndërsa të tjerët qëndrojnë në vendnumëro. Ka cilësi, është i ri dhe i talentuar pavarësisht se i mungon përvoja. Gjithsesi, ky është mendimi im, pasi vendimin do ta marrë skuadra”. Kandidatë janë edhe Nico Hulkenberg dhe Oscar Piastri.