BISLIMOVSKI: ARSYEJA E VETME ËSHTË RRITJA E ÇMIMIT TË GAZIT NË BURSAT BOTËRORE
Rriten çmimet e ngrohjes qendrore në kryeqytet mesatarisht për 15%. Këtë e njoftoi drejtori i Komisionit Rregullator, duke shtuar se arsyeja e vetme për këtë është rritja drastike e çmimit të gazit natyror në tregjet botërore.
Për dhjetë herë është rritur çmimi i gazit natyror në bursat botërore, nga viti i kaluar deri më tani, që do të rezultojë me të paktën 15% shtrenjtim të faturave të ngrohjes qendore në Shkup.“Në rrjetin më të madh përmes të cilit furnizohen mbi 90% e konsumatorëve në qytetin e Shkupit, çmimi i energjisë për ngrohje do të rritet për 14,18% për konsumatorët e ngrohje në rrjetin Energjetika, çmimi do të rritet për 15,58% , ndërsa për konsumatorët që janë të kyçur në rrjetin Shkup-Veri çmimi i energjisë për ngrohje do të rritet për 16,31%. Arsyeja e vetme për rritjen e çmimit është rritja drastike e çmimit të gazit natyror i cili është dhjetë herë më i lartë në raport me vitin e kaluar.”
Me shembullin e dhënë, Drejtori i Komisionit Rregullator sqaroi si do të duket kjo në praktikë.
“Për faturën mesatare prej 1800 denarëve, do të thotë se do të rritet për 250 denarë. Nga fillimi i vitit çmimi i ngrohjes qendrore është rritur për 23,18% dhe në qoftë se nuk do të ishin subvencionet e Qeverisë prej 23% rritja aktuale e çmimit të ngrohjes qendrore do të ishte 51%.” – deklaroi Bislimovski.
Maqedonia e Veriut e importon gjithë sasinë e gazit që shfrytëzohet në ngrohtore dhe në industri. Për dekada me rradhë autoritetet e kanë prolonguar kthimin e prodhimit të energjisë nga burime të pastra, posaçërisht nga energjia diellore, por kriza e fundit energjetike në Evropë nuk ka lënë hapësirë për pritje dhe tani fokusi është vënë në sigurimin e gazit natyror nga furnizues të tjerë, në vend të Rusisë, e cila që nga fillimi i luftës në Ukrainë gradualisht e ka reduktuar furnizimin me gaz në BE, duke e ulur në minimum. Nga Komisioni Rregullator apelojnë që në çdo mënyrë të kursehet energjia, sipas shembullit të vendeve evropiane të cilat tashmë e kanë çkyçur ndriçimin e rrugëve dhe të vitrinave të dyqaneve, si dhe shkallën e ngrohjes së hapësirave të mbyllura. /KlanMacedonia/