Kryetari i Partisë Demokatike, Sali Berisha po realizon një bashkëbisedim në Mirditë me personalitete të fushave të ndryshme. Gjatë fjalës së tij, Kryetari i PD-së Berisha është ndalur dhe tek 100-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Berisha u shpreh se “në 30 vite, realizimet më madhore të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, janë të lidhura me qeverinë e Partisë Demokratike”.
Sali Berisha: Një orë e gjysmë më parë isha para gazetarëve dhe u thash se unë po shkoj në Rrëshen për të festuar 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane me njerëz të ndershëm, me mirditorë të mençur, me njerëz me ideale të pastra. Kam shumë kënaqësi së bashku ne sot të nderojmë këtë 100-vjetor me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë ndaj vendit të madh të lirisë i cili ka bërë më shumë se çdo vend dhe komb tjetër për lirinë e shqiptarëve që nga viti 1920, presidenti Wilson grisi, hodhi në kosh projekte të cilat copëtonin edhe Shqipërinë.
Historia 30-vjeçare, sigurisht që SHBA kontribuuan më pas në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe ndihma e tyre ishte thelbësore me shkollat e shkëlqyera që ngritën në Tiranë dhe Kavajë. Me misionarët e mëdhenj të tyre të cilët bënë gjithçka për të çuar përpara kauzën e arsimit në Shqipëri dhe të zhvillimit të Shqipërisë për të paraqitur atë para publikut dhe administratës amerikane, ndër ta edhe shkrimtarë të mëdhenj të kohës siç ishte Rose Wilder Lane me të famshme Majat e Shalës që u bë në kohën e vet një nga librat më të lexuar në kohë nëkohën e udhëtimeve.
Pra, marrëdhëniet kanë një histori gjithnjë vetëm pozitive. Natyrisht ne i kremtojmë këto marrëdhënie, demokratët, me ndjenjë krenarie të veçantë, pasi në 30 vite realizimet më madhore të këtyre marrëdhënieve janë të lidhura me qeverinë e PD. Që nga pritja në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Bush, më pas nga presidenti Klinton. Më vonë do të ishte ngjarja më kulmore në këto marrëdhënie vizita e presidentit George W.Bush në Qershor 2007 në Tiranë, mesazhet historike për pavarësinë e Kosovës dhe Shqipërinë në NATO. Vizita të tjera do të bëheshin nga pala shqiptare dhe priteshin nivelet më të larta të atij vendi të madh, sikundër shtetarë të tjerë do të vinin në Shqipëri. Veçanërisht vizita e sekretares Kliton në 100-vjetorin e pavarësisë dhe mesazhet që ajo solli para shqiptarëve./tvklan.al