AMBASADORI I SAPOEMËRUAR I RMV-së NË SHBA KALOI FILTRIN E KOMISIONIT PARLAMENTAR
Komisioni për Politikë të Jashtme ka kaluar sot propozim – ligjet për ratifikimin e protokolleve të Traktatit të Atlantikut të Veriut të Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Findlandës. Protokollet u miratuan njëzëri edhe nga deputetët e opozitës edhe të atyre të pushtetit.
Deputetët vlerësuan se, bëhet fjalë për dy vende mike të cilat kanë mbështetur çdoherë Maqedoninë e Veriut, nga pavarësia e saj, si dhe për aspiratat e saja euro-atlantike.
Ndërkaq, sipas deputetëve të opozitës, me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, do të përforcohet arkitektura e sigurisë në pjesën skandinave të Evropës dhe do të paraqesë vlerë të shtuar për Aleancën. Pas miratimin në komisionin amë, protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO duhet të votohen edhe në seancë plenare, e cila është caktuar për të mërkurën në mesditë.
Po ashtu në seancën e sotme, ambasadori i sapoemëruar i Maqedonisë së Veriut në SHBA, Zoran Popov kaloi filtrin e Komisionit për Punë të Jashtme. Tezat për misionin diplomatik në SHBA ai i prezantoi në komision prapa dyerve të mbyllura, për shkak të karakterit klasifikues të informatave.
Ndërkohë, tezat e tyre për aktivitetet diplomatike duhet t’i prezantojnë para anëtarëve të komisionit edhe ambasadorët e ri në Kanada, Agron Buxhaku, në Mbretërinë e Norvegjisë, Driton Kuqi, në Republikën e Sllovakisë, Evgenija Ilieva si dhe ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Mbretërinë e Belgjikës, Metodija Belevski./KlanMacedonia/