Europa duhet të përgatitet për valën e re të Covid-19

Shteteve anëtare të BE u është bërë thirrje që të forcojnë masat si dhe të përshpejtojnë dozat përforcuese për 60 vjeç

Shtetet anëtare të BE-së duhet të fillojnë të përgatiten tani për një valë të re të pandemisë Covid-19 në vjeshtë dhe dimër. Lajmin e ka publikuar Komisionerja Europiane për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakides.

“Fatkeqësisht, pandemia ka treguar rritje shqetësuese në disa shtete. Në dy muajt e fundit, ne jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, të vetëdijshëm plotësisht se vala e re e pandemisë nuk duhet të rëndojë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë tona, veçanërisht në kohën kur ato janë prekur nga pushtimi rus dhe inflacioni”.

Ajo paralajmëroi se pandemia po bëhet edhe më shqetësuese për shkak edhe të përhapjes së nënvarianteve të Omicron dhe se Covid-19 nuk ka përfunduar ende. Kyriakides u ka kërkuar vendeve anëtare të përshpejtojnë dozat përforcuese tek personat mbi 60 vjeç si dhe tek grupet që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.

Ekspertët janë shprehur se numri i shtrimeve në spital dhe shkalla e vdekjeve do të vazhdojë të rritet në javët e ardhshme. Raundi i ri i shpërthimit shkaktohet kryesisht nga nënvariantet e reja BA.4 dhe BA.5 të llojit Omicron dhe infeksionet e tyre aktualisht përbëjnë 80% të rasteve të reja në Europë.

Për të frenuar përhapjen e virusit, ekspertët shëndetësorë kanë kërkuar nga shumë vende anëtare të BE që të rivendosin masat parandaluese si mbajtja e detyrueshme e maskave në transportin publik dhe kufizimi i numrit të njerëzve në tubime të mëdha.

Hans Kluge, drejtor i Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, lëshoi ​​një deklaratë javën e kaluar, duke thënë se numri i rasteve të Covid-19 u trefishua në rajonin europian dhe mbi 3 milionë raste të reja u raportuan në gjashtë javët e fundit. Megjithëse shkalla e shtrimeve në spital për shkak të Covid-19 është dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë, pranimet në njësitë e kujdesit intensiv deri më tani kanë mbetur relativisht të ulëta.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share