Mickoski thirrje pushtetit të pranojë nismën për referendum

LSDM: VMRO PO MANIPULON DHE GËNJEN QYTETARËT

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski i ka bërë thirrje pushtetit që të përkrah iniciativën e tij për referendum në lidhje me çështjen me Bullgarinë. Ai tha se, sovraniteti buron nga qytetarët dhe theksoi se, nëse ka kapacitete minimale demokratike te LSDM dhe BDI, ta pranojë referendumin.

“Gjatë ditës së djeshme, kemi pasur takim të gjatë disaorësh me Komitetin Ekzekutiv të partisë, kemi biseduar për të gjitha skenarët e mundshme, kemi parashikuar sjellje të mundshme të pushtetit dhe miratuam vendim që iniciative për deklarimin e qytetarëve në referendum të jetë prioritet mbi të gjitha prioritetet. Vlerësojmë se, nëse pushteti është i mençur dhe nëse me të vërtetë e vlerëson mendimin e qytetarëve, sepse ato janë sovrani, sovraniteti buron nga qytetarët, do të respektojnë kërkesën e tyre që të mbahet një referendum i tillë”, deklaroi Hristijan Mickoski VMRO-DPMNE

LSDM është deklaruar se nuk do të mbështesë këtë referendum, ndërsa akuzon opozitën maqedonase se në këtë mënyrë, po manipulon qytetarët dhe i gënjen ata se do të ketë bullgarizim dhe asimilim.

“Ajo që ende nuk e dinë se çfarë pyetje do të parashtrojnë para qytetarëve flet se për VMRO – DPMNE-në nuk është e rëndësishme as gjuha maqedonase, as interesat e qytetarëve. Ata kanë për qëllim vetëm t’i bëjnë dëm shtetit, ta pengojnë integrimin evropian së bashku se “Të majtën” proruse dhe asgjë më shumë. Në të vërtetë, edhe vet qytetarët e panë se, seancat e Komitetit Ekzekutiv të VMRO – DPMNE-së janë farsë e zakonshme, aty nuk vendoset asgjë, vetëm vërtetohen dëshirat e Mickoskit”, deklaroi Bogdanka Kuzeska Zëdhënëse e LSDM-së

Edhe Aleanca për Shqiptarët është shprehur kundër këtij referendumi, duke thënë se, alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut është BE. Megjithatë, ASH do të kërkojë që kur të hapet Kushtetuta, të ndryshojë edhe definicioni për gjuhën shqipe.

“Me vet përkrahjen tonë për propozimin francez, ne e kemi treguar dhe dëshmuar se rruga e vetme e Maqedonisë është Unioni Evropian dhe s’ka alternativë tjetër.//Kur të vijnë ndryshimet kushtetuese ne gjithsesi do insistojmë dhe kërkojmë që, të ndryshohet definicioni i gjuhës shqipe, definicion diskriminues që e definon gjuhën shqipe si gjuhë që e flasin 20% e popullatës”, deklaroi Halil Snopçe, ASH

Komiteti Ekzekutiv i VMRO – DPMNE-së në mbledhjen e mbrëmshme ka pranuar iniciativën e liderit të partisë, Hristijan Mickoski për referendum për pranimin e kornizës negociuese së bashku me marrëveshjen bilaterale për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Partia ende nuk ka vendosur se si saktësisht do të jetë pyetja e referendumit, ndërsa në periudhën vijuese do të zhvillojnë konsultime me ekspertë./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share