Ushtria sllovene heq telin me gjemba përgjatë kufirit me Kroacinë

Ushtria sllovene nisi të premten heqjen e gardhit me tela në kufirin me Kroacinë, i cili ishte vendosur për të frenuar kalimet e emigrantëve pasi më shumë se 1 milion njerëz që u larguan nga dhuna ose varfëria hynë në Evropë në vitin 2015-të.

Dhjetëra ushtarë përdorën mjete prerëse për të hequr telin me gjemba përgjatë kufirit, përpara se të ngarkonin gardhin në një kamion. Zyrtarët kanë thënë se mund të duhen rreth pesë muaj përpara se të hiqet i gjithë gardhi kufitar prej gati 200 kilometrash – një kombinim i telit me gjemba dhe paneleve metalike.

Vendimi për të hequr gardhin u mor nga qeveria e re liberale e Sllovenisë, e cila mori detyrën pas zgjedhjeve në prill. Zyrtarët kanë thënë se kufiri do të monitorohet me mjete të tjera, por se është e nevojshme për të parandaluar çdo aksident dhe lëndim që mund të përballen emigrantët ndërsa kërkojnë të arrijnë në Evropën Perëndimore.

“Emigracioni nuk është zhdukur dhe nuk do të zhduket, por ky tel ishte një masë jo-proporcionale,” tha ministrja e Brendshme Tatjana Bobnar, e cila ishte e pranishme në kufi. “Koha ka treguar se asnjë gardh nuk mund të parandalojë emigrimin, por ka shkaktuar shumë tragjedi dhe njerëz ishin duke vdekur” ndërsa përpiqeshin të kalonin lumin Kupa, në kufi.

Zyrtari i lartë i policisë sllovene, Bostjan shtoi se “teli i hequr do të zëvendësohet nga ndryshimi i metodave dhe taktikave të punës”, përfshi shtimin e stafit në kufi dhe bashkëpunimin e zgjeruar ndërkombëtar.

Emigrantët nga Lindja e Mesme, Afrika apo Azia vijnë në Slloveni nga Kroacia nëpërmjet të ashtuquajturës rrugë ballkanike. Shumë përballen me rreziqe në udhëtimet e tyre të gjata që shpesh zgjasin muaj, madje edhe vite, mes kalimesh të rrezikshme të deteve apo lumenjve, abuzimit nga kontrabandistët ose gjumit në kushte ekstreme atmosferike.

Vendimi i qeverisë sllovene për të hequr gardhin është përballur me kritika nga partitë e krahut të djathtë që janë kundër emigracionit. Vendi anëtar i Bashkimit Evropian ka raportuar një rritje të kalimeve të emigrantëve në gjysmën e parë të 2022-it krahasuar me vitin e kaluar, dhe grupet e djathta thonë se heqja e telit është e parakohshme.

Ministrja e brendshme Bobnar e ka përshkruar më parë gardhin kufitar si një masë të përkohshme dhe tha se “është e papranueshme që ai të bëhet një element i përhershëm i politikës kufitare të Sllovenisë”.

Agjencia zyrtare e lajmeve STA raportoi se ushtria fillimisht do të heqë 51 kilometra të telit me gjemba, ndërsa 143 kilometrat e mbetur të gardhit do të hiqen nga një kontraktor që ende nuk është zgjedhur.

Emigrantët që përpiqen të kalojnë kufijtë ndërsa kërkojnë siguri dhe jetë më të mirë në Perëndim, shpesh përballen gjithashtu me aksione të dhunshme nga policia kufitare në shumë vende përgjatë rrugëtimit të tyre.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share