Tifozët nuk duan largimin e sulmuesit, gruaja e polakut: Edhe unë nuk e di të ardhmen
E ardhmja e Robert Lewandowski po kthehet në një spirale me shumë të panjohura. Polaku është stërvitur me Bajernin e Mynihut në mesin e zërave që e shihnin te Barcelona, duke bërë kështu hapa pas.
Pavarësisht kësaj, tifozët bavarez nuk kanë qenë aspak paqësor me 34-vjeçarin. Ata nuk duan që sulmuesi të luajë diku tjetër, duke shkuar deri aty sa e kanë kërcënuar me jetë nëse largohet nga klubi bavarez për të shkuar te Barcelona.
Ajo që shton akoma dhe më shumë dilemat për të ardhmen e Lewandowski është edhe një reagim i gruas së tij në rrjetin social “Instagram”. E pyetur nga tifozët e Bajernit, ajo ka lënë të kuptohet se asgjë nuk është vendosur, duke iu përgjigjur me fjalët: Do të doja ta dija edhe unë.
Që prej mbërritjes së tij në vitin 2014, Lewandowski ka fituar praktikisht gjithçka me Bajernin: tetë tituj të Bundesligës, tre Kupa Gjermanie, një Çempions Ligë, një Superkupë Europiane dhe botërorin e klubeve.
Edhe shifrat para portës për të janë mahnitëse, 344 gola në 375 ndeshje me fanellën e Bajernit. Për kartonin e tij, Bajern kërkon jo më pak se 50 milionë euro, shifër që momentalisht Barcelona nuk është gati për ta paguar.
Klan News