Gjendet i gjallë njëri nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut të zhdukur në Hallkidiki

MPJ: JEMI NË KOMUNIKIM ME AUTORITETET GREKE

Një nga shtetasit maqedonas të zhdukur nga Halkidiki është gjetur i gjallë dhe është në gjendje relativisht të mirë shëndetësore. Ministria e Punëve të Jashtme njofton se pas marrjes së informacionit për aksidentin në Posidi të Greqisë, prej dje përfaqësitë e diplomatike dhe konsullore të vendit në Greqi janë në komunikim intensiv me autoritetet kompetente greke, respektivisht me Shërbimin Bregdetar të Shpëtimit, raporton Klan M.

Një nga shtetasit e RMV-së të zhdukur nga Halkidiki u gjet i gjallë dhe është në gjendje relativisht të mirë shëndetësore, konfirmojnë për mediat vendase burime nga shërbimi bregdetar i Greqisë. Bëhet fjalë për një shtetas 30-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili pas më shumë se 18 orësh zhdukje u gjet nga një anije mallrash me flamur të Gjibraltarit që lundronte aty pranë në zonën detare në jugperëndim të Kasandrës. Vazhdojnë aksionet dhe kërkimet e shërbimit të bregdetit grek, për gjetjen e personit të dytë të zhdukur. Operacioni i shpëtimit ka nisur dje rreth orës 19:00 me orën lokale, pasi tre miqtë, në plazhin Mitti në Posidi, kanë hyrë në det, por me siguri janë tërhequr nga rrymat dhe dallgët, për shkak të motit të keq dhe njëri prej tyre ka shpëtuar.

Nga Ministria e Jashtme thonë se sipas informacioneve të deritanishme, dje rreth orës 15:00 tre shtetas tanë të cilët kanë hyrë në det, për shkak të stuhisë së keqe, janë gjetur në një situatë të pafuqishme duke u larguar nga bregu.

“Me ndihmën e një mjeti lundrues privat, një nga të rrezikuarit është shpëtuar ditën e djeshme pasi ka qëndruar dy orë në ujë. Pas vazhdimit të kërkimeve ditën e sotme, mëngjesin e sotëm është marrë konfirmimi për gjetjen e një anëtari tjetër të grupit, i cili gjithashtu është në gjendje të mirë shëndetësore, ndonëse prej kohësh ndodhej në ujë”, thonë nga MPJ.

Nga ministria njoftojnë se Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik është në komunikim me familjet e shtetasve në rrezik dhe është në dispozicion për çdo ndihmë. Sipas mediave vendase, njëri prej tre miqve kishte ditëlindjen dhe ata shkuan në Halkidiki për të festuar dhe në një moment hynë në det për të notuar, duke injoruar erën e fortë dhe dallgët. Disa prej të pranishmëve në plazh kanë vënë re se ata ishin larguar dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur aksioni. Kryetarja e Bashkisë së Kasandrës, Anastasia Halkia, ka shpjeguar për mediat greke se plazhi i caktuar është shumë i rrezikshëm për not, pasi ka erëra detare dhe dallgë të mëdha. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share