Marrëveshja për “Fronteks” testi i parë për gjuhën maqedonase në BE

GARANCI NUK KA, POR ËSHTË MIRË TË FILLOJNË NEGOCIATAT

Bashkimi Evropian është në përgatitje të Marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për rojet kufitare “Fronteks”, i cili për vite me rradhë ka qenë i bllokuar nga ana e Bullgarisë. Ky mendohet se do të jetë testi i parë për gjuhën maqedonase në dokumentin zyrtar evropian, përkatësisht për vullnetin e Sofjes zyrtare ta hapë ose jo rrugën e vendit për eurointegrime. Përndryshe, sipas burimeve evropiane, në Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, për të cilën Brukseli pret miratim nga autoritetet në Shkup, nuk ka formulim që rrezikon gjuhën maqedonase, përkundrazi – BE-ja përgatitet për përkthim të gjithë ligjdhënies në gjuhën maqedonase.

Për momentin nuk ka reagime nga autoritetet bullgare për përgatitjet që BE-ja ta nënshkruajë Marrëveshjen për shpërndarjen e forcave kufitare evropiane “Fronteks”, me Maqedoninë e Veriut, në mes tjerash edhe në gjuhën maqedonase. Në qoftë se mbetet kështu, kjo do të konsiderohet si sinjali i parë për vullnet të mirë nga Sofja për hapjen e rrugës evropiane të vendit, përkatësisht të mos i bllokojë negociatat aderuese me BE-në, në pritje që të njëjtat të fillojnë edhe zyrtarisht. Në Kornizën negociuese të cilën Brukseli e ka hartuar për vendin, gjuha maqedonase është përdorur pa flamuj dhe fusnota, shprehin bindjen përfaqësuesit evropianë, duke shtuar se ky është formulim shumë më afirmues se sa për shembull në Kornizën për Malin e Zi ku përdoret fraza “gjuha zyrtare e shtetit”. Megjithatë, askush në Bruksel nuk është i gatshëm të japë garanci se deri në fund të negociatave, përkatësisht deri në mbylljen e të gjithë kapitujve të Kornizës negociuese, nuk do të ketë bllokadë të re nga Sofja, ose nga një vend i tretë. Me uljen në tryezë të përbashkët jo vetëm me Bullgarinë, por edhe me 26 vendet tjera anëtare të BE-së, konsiderohet se Maqedonia e Veriut do të ketë pozicion të përforcuar të pajtohet ose të hedhë poshtë formulime të caktuara të cilat do të imponohen gjatë procesit të negociatave. BE-ja nuk ka asgjë me Marrëveshjen dypalëshe për fqinjësi të mirë, e nënshkruar në vitin 2017 në mes Sofjes dhe Shkupit dhe nuk do të vendoset në rolin e ndërmjetësuesit në qoftë se zbatimi i saj ngec diku. Në këtë kontekst për Brukselin do të jetë e rëndësishme të shohë se të dyja palët bëjnë përpjekje që marrëveshja të plotësohet, se ka komunikim dinamik dhe vullnet për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Ajo që me siguri BE-ja do ta mbikëqyrë me siguri është plotësimi i të gjitha kërkesave drejt Maqedonisë së Veriut për respektimin e të drejtave të njeriut në vend, si të të gjitha bashkësive pakicë, ashtu edhe asaj bullgare. Në qoftë se autoritetet në Shkup e miratojnë Kornizën e ofruar negociuese, ose të ashtuquajturin “propozim francez”, që e pret Brukseli, atëherë pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare menjëherë do të fillojë “skriningu” i procesit, i cili në rastin me Maqedoninë e Veriut mendohet se do të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar sepse krahasimi në mes ligjdhënies evropiane me atë vendase ka filluar para disa viteve. Deri në konferencën e dytë ndërqeveritare pritet të kalojë të paktën edhe një vit, kohë për krijimin e kushteve për ndryshimet e kërkuara kushtetuese, përkatësisht përfshirje të Bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si bashkësi e barabartë me të gjitha të tjerat./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share