FETAI: KJO ËSHTË FESTË E SOLIDARITETIT SAKRIFICËS DHE NDIHMËS SË NDËRSJELLË
Besimtarët mysliman sot në mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, një prej festave më të mëdha islame. Manifestimi qendror në vend u mbajt në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, i cili filloi prej orës 04:30 deri pasi u fal namazi i Kurban Bajramit.
Një numër i konsiderueshëm i besimtarëve mysliman u mblodhën në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup për të falur namazin e Kurban Bajramit. Me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire, besimtarët uruan njëri tjetrin pas faljes së Kurban Bajramit. Kreu i Bashkësisë Fetare Islamen në RMV, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai, uroi besimtarët musliman, duke u kujtuar se kjo festë simbolizon solidaritetin, sakrificën dhe ndihmën e ndërsjellë. Ai bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në mes njerëzve pavarësisht ndasive.
“Po e përjetojmë Festë e madhe të Kurban Bajramit, Festë të cilën ne muslimanët e përjetojmë me shpirt e zemër, sepse Kurban Bajrami na ripërkujton shumë ngjarje të historisë islame, e një ndër ta është edhe përfundimi i Shpalljes së Kur’anit Famëlartë, me të cilin njëherë e përgjithmonë u vendosën themelet e individit, familjes dhe shoqërisë së shëndoshë”, tha në urimin e tij kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul-Ulema h.Shaqir ef. Fetai.
Sipas fesë islame, rituali apo festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon dhe prerjen e kurbanit për ata që kanë mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë./KlanMacedonia/