Mungesa e ngjyrës së gjelbër nuk është e rastësishme në pikturat konceptuale të artistes së re Erblina Karaliti, të ekspozuara në ekspozitën e titulluar ‘2055’ në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.
Të dominuara nga ngjyra e kaltër dhe verdhë, pikturat e artistes Karaliti projektojnë të ardhmen, e cila sipas saj do të jetë e zymtë, pa pyje dhe natyrën e gjelbër si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.
Për më shumë, sipas saj fëmijët dhe gjeneratat më të reja aktualisht nuk kanë mundësi t’i përjetojnë dimrat me borë të thellë si më parë, ndërsa ekziston rreziku i madh që për shkak të ndryshimeve klimatike deri në vitin 2055, gjeneratat e ardhshme të përjetojnë planetin tokë edhe pa drunjë dhe pyje të dendura.
Pikërisht kjo edhe ka qenë arsyeja kryesore që e ka frymëzuar artisten Karaliti që të sjell ekspozitën ‘2055’ para artdashësve, duke shpresuar se do të shërbje si thirrje për vetëdijsëim dhe veprim ndaj ndryshimeve klimatike.Ekspozita ‘2055’ do të qëndrojë e hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë deri me datën 29 korrik, dhe mund të vizitohet çdo ditë pune nga ora 9:00 – 18:00