Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska ka reaguar kundër deklaratës së Arben Taravarit i cili më herët deklaroi se sipas tij do të shkëput bashkëpunimin me Qytetin e Shkupit mirëpo pret një vendim nga kryesia e partisë.
“Nuk e kuptoj mendjemadhësinë dhe komentet e zotit Taravari, duke qenë se bashkëpunimi ynë ka përfunduar qysh dje. Ai personalisht mund të marrë vendime kadrovike në Gostivar, jo në Shkup. Nuk ka asnjë arsye për të bashkëpunuar me një person që sulmon, që nuk ka busull etike, që justifikon çdo formë dhune dhe sulmi me armë zjarri si në incidentin e mbrëmshëm dhe nxit tensionet ndëretnike. Shkupi është qytet i bashkëjetesës, solidaritetit, në të cilin bashkëqytetarët tanë duhet të jetojnë të qetë dhe të sigurt dhe të respektojnë njëri-tjetrin”, thuhet në reagimin e Qytetit të Shkupit./KlanMacedonia/