Kuvendi i Shqipërisë po diskuton projekt-rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Srebrenicë. Projekt-rezoluta është depozituar nga mazhoranca socialiste. Punimet në këtë seancë po ndiqen edhe nga ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit bosnjak.
Në këtë projekt-rezolutë konfirmohet qëndrimi i Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se masakra serbe në Srebrenicë ka mbetur një plagë në mes të Europës.
“Jemi këtu për të kujtuar dhe për të shprehur dhimbjen më të thellë për të gjitha ato viktima. Kjo rezolutë është dokument tepër serioz, larg çdo lloj forme folklorizmi apo protagonizmash bajate. Kjo rezoluta është zemra e shqiptarit. Evropa dhe kombet e Bashkuar dështuan me turp ta parandalojnë atë masakër, teksa gjenocidi në Srebrenicë do të mbetet si një plagë në mes të Evropës. Presidenti i SHBA Joe Biden do të ishte një zë i vetëm që kërkoi parandalimin në Srebrenicë plot 2 vite e 3 muaj në kohën kur ishte senator”, u shpreh ndër të tjera Taulant Balla.
Pas fjalës së kreut të grupit parlamentar socialist, Kuvendi i Shqipërisë mbajti 1 minutë heshtje në respekt të viktimave të masakrës së Srebrenicës.
Ndërkohë, seancën e përshëndeti përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Bosnje-Hercegovinës, i cili falënderoi deputetët shqiptarë dhe u shpreh se Shqipëria dhe Bosnja janë dy vende miqësore.
/tvklan.al