Liderët i kërkuan edhe një herë Rusisë të heqë bllokadën në Detin e Zi dhe të ndalojë çdo “përvetësim të paligjshëm” të grurit
Grupi i liderëve të G7 kanë rënë dakord që të punojnë për një kufi të çmimit për naftën ruse si pjesë e përpjekjeve për të ulur të ardhurat e Kremlinit nga energjia.
“Ne i ftojmë të gjitha vendet me të njëjtin mendim që të marrin në konsideratë bashkimin me ne në veprimet tona”, thanë liderët e G7 në komunikatë.
Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj dramatike ekonomike, veçanërisht rritja e inflacionit te çmimeve të ushqimit dhe energjisë, ka dominuar samitin e këtij viti të grupit të demokracive të pasura në një vendpushim në Alpet bavareze.
Përveç kësaj, shtatë liderët premtuan 4.5 miliardë Dollarë shtesë për të luftuar pasigurinë globale të ushqimit, duke e çuar shumën totale të angazhuar këtë vit në më shumë se 14 miliardë Dollarë.
Rritja e çmimeve të karburanteve, pasojat nga pandemia e Covid-it dhe lufta në Ukrainë po kontribuojnë të gjitha në frikën e një zie buke globale, me G7 që i kërkon edhe një herë Rusisë të heqë bllokadën e saj ndaj porteve të Detit të Zi të Ukrainës dhe të ndalojë çdo “përvetësim të paligjshëm” të grurit.
Të ardhurat ruse nga eksporti i naftës u rritën në Maj edhe pse vëllimet ranë, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në raportin e saj mujor të Qershorit. Ky vendim i liderëve të G7-ës synon të dëmtojë edhe më shumë ekonominë ruse si dhe pozitën e presidentit rud Vladimir Putin për të rritur stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit në tregjet globale të naftës. Rusia mohon të jetë përgjegjëse për krizën ushqimore dhe fajëson sanksionet perëndimore për ndërprerjet e dërgesës.
Zyrtarët perëndimorë thonë se duan të inkurajojnë shitjet e naftës ruse në nivele pak më të larta se kostot e prodhimit për të siguruar që të ardhurat e Rusisë të reduktohen ndërkohë që ruan prodhimin.
Krerët e ekonomive më të përparuara të botës u vendosën të diskutojnë mënyrat se si G7 mund të forcojë më tej bashkëpunimin shumëpalësh dhe një qeverisje dixhitale të bazuar në rregulla.
Në dy ditët e fundit, grupi G7 kishte njoftuar tashmë planet për të mobilizuar 600 miliardë Dollarë nga G7 deri në vitin 2027 për infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke treguar mbështetje për Ukrainën në konfliktin e vazhdueshëm dhe ngritën shqetësime për një krizë ekonomike të afërt.
Klan News