Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi thirri sot mbledhjen e dytë të Komitetit drejtues për projektin e ndërtimit të Korridorit 8 dhe Korridorit 10 D.
Në seancën e sotme, komiteti vendosi që t’i propozojë Qeverisë formimin e ekipeve për shpronësim, negociata dhe për zbatim të projektit më të madh infrastrukturor të vendit tonë, të cilin do ta zbatojë konzorciumi Bechtel Enka.
Korridori 8 parasheh ndërtimin e autostradës sipas standardeve bashkëkohore të infrastrukturës rrugore në tre akse: Tetovë – Gostivar, Gostivar – Kërçovë, Qafë Thanë – Strugë – Trebenishtë.
Korridori 10 D parasheh ndërtimin e autostradës Manastir – Prilep.
Me ndërtimin edhe të autostradës Shkup – Bllacë, e cila u aprovua nga Kuvendi dhe bordi drejtues i BERZH, qytetarëve të vendit do t’ju lehtësohet dukshëm lëvizja nga vendkalimi kufitar Bllacë me Kosovën e deri në vendkalimin kufitar Qafë Thanë me Shqipërinë.
Realizimi i këtyre projekteve të mëdha të infrastrukturës rrugore do të ndikojë dukshëm në përforcimin e marrëdhënieve tregtare mes vendeve të Ballkanit dhe qarkullimin më të shpejtë dhe më cilësor të qytetarëve të vendeve të Ballkanit.
Ligji për ndërtimin e Korridorit 8 u miratua me datë 15 Korrik 2021 nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut me propozim të deputetëve të shumicës parlamentare dhe u konfirmua nga gjykata kushtetuese me datë 9 Dhjetor 2021. /KlanMacedonia/