Miliona gra në SHBA do të humbasin të drejtën ligjore për abortin, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi një vendim 50-vjeçar që e legalizoi atë në mbarë vendin. Gjykata rrëzoi vendimin historik Roe kundër Wade, disa javë pas zbulimit të një dokumenti të paprecedentë që sugjeronte se ajo e favorizonte një gjë të tillë.
Vendimi do të transformojë të drejtat e abortit në Amerikë. Shtetet tashmë në mënyrë individuale mund ta ndalojnë procedurën.
Gjysma e shteteve amerikane pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja.
13 kanë miratuar tashmë të ashtuquajturat ligje nxitëse që automatikisht do ta bëjnë të jashtëligjshëm abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Në total, qasja e abortit pritet të ndërpritet për rreth 36 milionë gra në moshë riprodhuese, sipas një pune kërkimore të Planned Parenthood, një organizatë e kujdesit shëndetësor që ofron aborte. Gjykata e Lartë kishte shqyrtuar një çështje, Dobbs kundër Organizatës së Shëndetit të Grave Jackson, që sfidoi ndalimin e Misisipit për abortin pas 15 javësh.
Por gjykata me shumicë konservatore vendosi në favor të shtetit me një votim 6 pro dhe 3 kundër, duke i dhënë fund efektivisht të drejtës kushtetuese për abort.
“Prandaj ne mendojmë se Kushtetuta nuk i jep të drejtën për abort… dhe autoriteti për të rregulluar abortin duhet t’i kthehet popullit dhe përfaqësuesve të tij të zgjedhur”, thuhej në vendim.
Çështja historike e vitit 1973 Roe kundër Wade pa që Gjykata e Lartë vendosi me një votim 7 me 2 se e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë e saj mbrohej nga Kushtetuta e SHBA.
Vendimi u jepte grave amerikane të drejtën absolute për një abort në tre muajt e parë (tremujorin) e shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë.
Por, në dekadat që nga ajo kohë, vendimet kundër abortit kanë frenuar gradualisht aksesin në më shumë se një duzinë shtetesh.
Sipas BBC, vendimi i së premtes përbën një ndryshim të plotë të precedentit ligjor të Gjykatës së Lartë, një veprim jashtëzakonisht i rrallë dhe ka të ngjarë të krijojë beteja politike që përçajnë kombin.
Në shtetet ku mendimet për abortin janë të ndara ngushtë, si Pensilvania, Miçigani dhe Wisconsin, ligjshmëria e procedurës mund të përcaktohet në bazë të zgjedhjeve.
Në të tjerat, vendimi mund të nxisë një raund të ri betejash ligjore, përfshirë opsionet nëse individët mund të dalin jashtë shtetit për aborte ose të porosisin barna për abortin përmes shërbimeve postare./tvklan.al