TËRMET TRAGJIK ME MBI NJË MIJË VIKTIMA
Pasojat e rënda la një tërmet i fuqishëm që goditi lindjen e Afganistanit në orët e para të së Mërkures. Bilanci është tragjik. Deri më tani numërohen mbi 1 mijë viktima dhe mbi 1500 të plagosur, bilanci pritet të rëndohet, pasi ekipet e emergjencës ende nuk kanë nisur kërkimet në rrënojat e qindra ndërtesave të shkatërruara.Numri i lartë i viktimave lidhet me cilësinë tepër të dobët të ndërtesave në atë zonë, por edhe momentin kur të gjithë banorët bënin gjumin e natës.
Udhëheqësi suprem i qeverisë afgane të udhëhequr nga talibanët i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë donacione për të ndihmuar vendin. Haibatullah Akhundzada, lideri suprem i talibanëve në pushtet, në një deklaratë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, dhe të gjitha organizatave humanitare “të ndihmojnë popullin afgan në këtë tragjedi të madhe”.
Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike, dhe Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë i talebanëve, tha se qeveria ishte “e paaftë financiarisht të ndihmojë njerëzit në masën që është e nevojshme”.
Kreu i Kombeve të Bashkuara, António Guterres tha se agjencia ishte mobilizuar plotësisht për katastrofën. Ekipet shëndetësore, furnizimet mjekësore, ushqimi dhe strehimoret e urgjencës ishin rrugës për në zonën e tërmetit, thanë zyrtarët e OKB-së.