Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se 72 alarme për mjete shpërthyese në shkolla janë raportuar gjatë ditës së sotme, kryesisht në shkollat ku serbët janë shumicë, ani se policia në një komunikatë të mëhershme tha se numri i alarmeve ka qenë 30.
Për këto alarme në shkolla dhe atë në aeroportin “Adem Jashari”, Sveçla tha se situata ka qenë shqetësuese, sidomos kur bëhet fjalë për institucione arsimore të të gjitha moshave.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se nuk ka asnjë arsye për panik apo për t’u shqetësuar. Ne mbesim të përkushtuar që me të gjitha kapacitetet tona, përmes të gjithë mekanizmave tanë të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Sveçla tha se Njësitet relevante të Policisë së Kosovës kanë dalur menjëherë në lokacionet e lajmëruara duke bërë fillimisht rrethimin e zonave e pastaj kontrollin e detajuar të objekteve.
Pas kontrollimeve, doli se të gjithë alarmet kanë qenë të rreme, ndërsa Ministri i Brendshëm tha se puna e kontrollit ka vazhduar me intensitetin e njëjtë.
Komunat Kamenicë, Lipjan, Zveçan, Graçanicë, Skenderaj, Prizren, Prishtinë, Klinë, Viti, Rahovec, Mitrovicë e Veriut, Ranilluk, Dragash, Artanë, Shtërpcë, Partesh, Fushë Kosovë, Vushtrri, Gjilan, Zubin Potok dhe Istog ishin vendet ku u paralajmërua për bombë, sipas ministrit Sveçla, i cili publikoi disa fotografi prej kontrollimit të shkollave nga zyrtarët policor.