Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i makinës që drejtonte. I riu mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital. Por atje, nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të rënda dhe humbi jetën.
“Ju informojmë se: Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S. ka ndërruar jetë në spital”, tha policia në një njoftim të dytë.
27-vjeçari ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Benz”, e cila ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Policia dyshon se i është vendosur eksploziv. Po ashtu mendohet se ajo është shpërthyer në distancë me telekomandë
“Më datë 11.06.2022, në orën 13:35, në afërsi të TEG-ut, automjeti tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi A. S., 27 vjeç, ka shpërthyer, dyshohet nga lëndë eksplozive”, njoftoi policia.
Në vendin e ngjarjes shkoi policia dhe zjarrfikësit të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit nga makina. Po ashtu, atje shkoi edhe një ekip anti-eksploziv i RENEA-s. Ndërkohë grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Siç duket nga këto pamje, makina e të riut është shkrumbuar tërësisht. Ekspertët janë duke marrë çdo provë të mundshme që mund të shërbejnë për zbardhjen e kësaj çështje. Shpërthimi ka ndodhur në Unazën e Madhe, në aksin që të çon drejt Elbasanit.
Policia e ka bllokuar atë korsi duke mos lejuar kalimin e makinave nga Tirana për në Elbasan, duke qenë se vendi ku ndodhi shpërthimi po konsiderohet skenë krimi.
Gazetari Besar Bajraktaraj, tha se Aleksandër Sadikaj ka qenë i proceduar më herët për një tentativë vrasjeje. Megjithatë, ndaj tij nuk ka pasur asnjë dënim. Po ashtu, ai ishte me precedentë penalë për vjedhje dhe drogë.
Në fokus të grupit hetimor, pritet që të jenë të gjitha lëvizjet e Sadikajt ditët e fundit, të cilat mund të hedhin dritë për zbardhjen e ngjarjes.
Detaje nga atentati ndaj 27-vjeçarit në Tiranë: Eksplozivi u aktivizua me telekomandë, ku ishte vendosur në makinë
Hetuesit dyshojnë që shpërthimi i eksplozivit në makinën e Aleksandër Sadikajt të jetë aktivizuar me telekomandë. Kjo pistë ka çuar në dyshimin tjetër që autori/ët të mos kenë qenë larg vendit të ngjarjes, për shkak të mekanizmit që kërkon shpërthimi i tritolit me telekomandë.
Gazetarja Bleona Metushi raportoi gjatë një lidhjeje direkte se tritoli është vendosur në pjesën e përparme të makinës tip “Benz” të 27-vjeçarit Sadikaj. Viktima verifikimeve paraprake rezulton të jetë i hetuar për një tentativë vrasjeje, por edhe i skeduar për aktivitete kriminal si vjedhja dhe droga. Ai jetonte në Tiranë, por ishte nga qyteti i Beratit.
Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie. Pistë kryesore e hetimeve mbetet e shkuara e të riut. Megjithatë pritet që të shikohet nëse ai ka pasur ndonjë konflikt së fundmi. Për të hedhur më shumë dritë, pritet që të merren në pyetje familjarët e tij.
Sadikaj ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda që mori nga shpërthimi.
Foto | Kush ishte 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj, e shkuara e tij e errët
Ky është 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj, i cili u vra ditën e sotme si pasojë e një atentati me eksploziv. Gazetari Besar Bajraktaraj ka siguruar foton e viktimës.
Mësohet se 27-vjeçari nga Berati, i cili së fundmi banonte në Tiranë ishte me precedentë të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
Këto janë precedentët penalë ndaj tij:
Më 09 Prill 2011 ai u arrestua në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër tentuan të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat;
Më 30 Prill 2011 u shpall në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
Më 31 Maj 2017 u shpall në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23 Gusht 2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;
Më 29 Maj 2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
Më 09 Korrik 2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup. Më datë 30 Korrik 2019, për këtë ngjarje, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, për këtë shtetas, disponohen informacione në rrugë operative se kryente veprimtari kriminale edhe në fushën e narkotikëve./tvklan.al