Një gol i falur i hoqi Shqipërisë fitoren me Islandën në takimin hapës të Ligës së Kombeve. Trajneri Edy Reja tha pas ndeshjes që përfundoi në barazim 1 – 1 se në pjesën e dytë ekipi nuk bëri asgjë.
“Në pjesën e parë zhvilluam një lojë të mirë, në të dytën nuk bëmë asgjë. Arritëm të shënonim, por pas 4 minutash në pjesën e dytë ia dhuruam golin. Bëmë lojën që donin ata, pasi nëse je në avantazh duhet të shfytëzosh hapësirat që të lejojnë me anë të kundërsulmit, por nëse ata mbyllen nuk i kalon lehtë, pasi janë mirë fizikisht”, tha tekniku Reja.
“Doja ta largoja topin në rivënie anësore, por ia dhashë si një asist. Një gabim që nuk duhet bërë, por duhet të përmirësohem”, u shpreh Berisha.
Për autorin e golit të kuqezinjve, Taulant Seferin, tani duhet të mendohet suksesi me Izraelin.
“1 pikë nuk është keq, pasi nuk kemi fituar në Islandë, tani duhet fitorja me Izraelin”.
Shqipëria do të presë përfaqësuesen izraelite të premten. Një fitore do ta ngjiste Kombëtaren në krye të grupit.
Tv Klan