Kovaçevski sot shtron darkë për Ramën, Abazoviqin dhe Vuçiqin në Ohër

Kultura dhe turizmi do të jenë në fokus të iniciativës Ballkani i Hapur që sot dhe nesër do të mbahet në Ohër.

Për sot është paraparë darkë pune të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të kryeministrit të malit të Zi Dritan Abazoviq dhe të kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Sipas agjendës për nesër janë paraparë fjalime zyrtare në samit, ndërsa video fjalime duhet të kenë edhe eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varhei dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit dhe i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.

Në sesionin plenar “Ballkani i Hapur turizmi i hapur” janë paraparë fjalime të zëvendëskryeministrit të obliguar për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, të ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, të ministres së Turizmit dhe Mjedisit Jetësor të Shqipërisë Mikela Kumbaro Furxhi dhe të ministres së Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimeve të Serbisë, Tatjana Matiq. Qëndrime të tyre do të ndajnë përfaqësuesit e odave ekonomike, ndërsa mundësi për debat do të kenë edhe drejtorë të institucioneve, tur operatorë, gastronomë…

Në sesionin plenar dedikuar Kulturës së hapur të Ballkanit të Hapur fjalim do të ketë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe ministret e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe Elva Margariti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Kulturës dhe Informacioneve të Serbisë, Maja Gojkoviq.

Mundësi për diskutim do të kenë përfaqësuesit e institucioneve kulturore, drejtorë, punonjës të kulturës, producentë…

Në fund të samitit është paraparë të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor për njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucione të arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.

Iniciativa Ballkani i Hapur parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share