Rama zbulon prapaskenat: Përse nuk propozuam emrin e Fatos Nanos për President

Partia Socialiste ka propozuar gjeneral-majorin Bajram Begaj si kandidat për President të Republikës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS paraditen e kësaj të shtune, kryesocialisti Edi Rama tregoi përse u zgjodh kjo kandidaturë, dhe u përjashtuan figura të tjera, të tilla si ajo e Fatos Nanos.

“Drejtimi i dytë ishte drejtimi që adresonte mundësinë për kandidatura që nuk janë anëtarë të grupit të Partisë Socialiste, por që kanë një kontribut domethënës në jetën e partisë, që nga kryetari i partisë Fatos Nano dhe me radhë të tjerë për të cilët kemi respektin më të madh, por përsëri për arsyet e thëna publikisht e pamë të arsyeshme që dhe këtë drejtim ta përjashtojmë nga mundësia e përzgjedhjes sepse në këtë fazë PS ka barrën të jetë partia e të gjithëve.

Dhe pavarësisht se si njerëzit votojnë, ata që nuk e votojnë të mos ndjehen të përjashtuar nga këndvështrimi i Partisë Socialiste në jetën publike, institucionale dhe zgjedhjet e zgjidhjet që duhen bërë. Kështu rezonuam te grupi i tretë, ku grupi kishte vënë në funksion të këtij procesi 26 kandidatura me gra dhe bura të nderuar, me profile të ndryshme, që nga profilet e jetës publike e akademike deri te drejtimi që vinin nga anë të tjera politike.

Pas diskutimit, duke ruajtur respekt për të gjithë personat, pavarësisht se mbledhja ishte e mbyllur, u ruajt respekti për të gjithë personat që dhe pa dijeninë e tyre fare ishin përfshirë në atë diskutim.

Në fund patëm 6 kandidatura që morën më shumë kohë për t’u shoshitur pastaj konsensualisht duke dëgjuar me vëmendje ato që u thanë, konsensualisht u arrit në konkluzionin që të vinim sot në grup dhe të propozonim këtë kandidaturë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share