“ÇDO JURIST I SHQUAR TË KETË TË DREJTË VET TË PARAQITET”
VMRO – DPMNE vlerëson se, vendit i nevojitet ligj për Gjykatën Kushtetuese dhe ai duhet të mbështetet nga të gjithë deputetët. Deputeti, Antonio Milloshoski tha gjatë emisionit Utrinski Brifing se, ajo që duhet të jetë parim në procedurën për zgjedhje të gjykatësve kushtetues, është që çdokush që vlerëson se është jurist i shquar të ketë të drejtë edhe vet të paraqitet si kandidatë dhe të mos mund të fshihen paraqitjet. Milloshoski si shembull për fshehje theksoi se, në maj të vitit 2020 ka arritur letër në Kuvend, te Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe deputetët, nga Antoaneta Dimovska me 25 vite stazh gjyqësor, me vërejtje se duhet të arrijë te të gjithë deputetët, por deputetët nuk e kanë pranuar një dokument të tillë.
“Nëse biografinë e kanë marrë deputetët nga VMRO, LSDM, BDI, nga deputetët e pavarur, ndoshta dikush do të interesohej dhe do të jepte propozim. Por, është e dukshme se propozimet këtu nuk krijohen në Kuvend dhe as biografitë që tani i lavdërojmë aq shumë si të sqarojnë gjithçka në jetën e një njeriu në aspektin profesional dhe atë privat – nuk vlerësohen. Biografia e saj është hedhur në shportë, ndërsa ka ardhur, e kemi edhe numrin e arkivit dhe datën kur ka ardhur. Çdo kryetar i trupit punues është i obliguar që çdo material që do të vijë te ai, ndërsa nuk është material personal provat dhe ka të bëjë me Kuvendin dhe deputetët, duhet ta ndajë me deputetët” – deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Ai po ashtu tha se, të gjithë kandidatët duhet të kenë hapësirë për prezantimin e tyre dhe me që ka tre kandidatë që janë propozuar nga shumica parlamentare, ndërsa gjashtë nga opozita, me siguri do të shkohet me një kandidat të pushtetit, diskutim për të dhe votim, më pas dy kandidatë nga opozita dhe kështu me radhë.
Megjithatë, shumica parlamentare hodhi poshtë këtë propozim gjatë seancës së djeshme të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ku nga dita e djeshme, ka filluar diskutimi i biografive të kandidatëve për gjykatës kushtetues. Kryetarja e komisionit, Maria Georgievska tha se, nuk ka detyrim procedural që të thirren kandidatët e propozuar të prezantohen para deputetëve dhe se deri më tani nuk ka pasur praktikë të tillë.
Gjykata Kushtetuese pothuajse një vit funksionon me përbërje jo të plotë dhe momentalisht ka vetëm 5 gjykatës, nga nëntë sa është e paraparë. Pas kompletimit të përbërjes së komisionit parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, partitë parlamentare propozuan nëntë kandidatë për gjykatës kushtetues. Deputetët e shumicës parlamentare kanë propozuar tre kandidatë, ndërsa opozita gjashtë. Komisioni do të duhet të konstatojë kandidatët që do t`i dërgojë në seancë plenare, ku për zgjedhjen e tyre do të duhet shumicë prej 61 deputetëve. /KlanMacedonia/