90 denarë për një kilogram – qepët blihen me copë!

Bie fuqia blerëse, ankohen edhe shitësit edhe blerësit

Çmimi për një kilogram qepë në treg shitet prej 80 deri në 90 denarë, shitësit thonë se më këtë çmim qepa nuk blihet me kilogram por me copë, njofton KlanM.

E shkaku kryesor i këtij çmimi të qepës shitësit thonë se është produkti i importuar nga jashtë vendit dhe kjo ka bërë që çmimi i këtij produkti të krahasohet me çmimin e bananeve.

“Po 90 denarë, nuk ka sepse shteti ua ka dhënë tokat personave që nuk mbjellin, ato që mbjellin nuk kanë ato që i kanë tenderët nuk mbjellin dhe s’ka të mbjella aty, qepa vjen nga jashtë momentalisht”, thotë Sulejman Saiti, shitës.

Ibrahim Saiti shitës në treg ankohet se nuk ka shitje as për të nxjerrë qiranë e tezgës dhe se edhe ai si shumë tjerë ka aplikuar për vizë dhe po pret terminin në ambasadën Gjermane.

“Shumë është dobët, pensionet e vogla ndërsa çmimet e produkteve janë rritur, shtrenjtë janë.. Dobët është, shitje nuk ka, çmimet rriten sepse nuk ka prodhim të gjitha produktet vinë nga Turqia, patatja vjen nga Gjermani, të gjithë produkte të huaja, nuk kemi prodhim këtu. Edhe unë tani e pres ta marr vizën dhe do shkoj, do lë gjithçka dhe do shkoj, 500 euro e kam qiranë ndërsa nuk  mund të nxjerri në muaj aq, 500 euro në muaj i ke nuk i ke duhet t’ia numërosh”, thotë shitësi Ibraim Saiti.

“Çmimi i qepës është 90 denarë, çmimi është i lartë sepse nuk ka kualitet të mirë prodhimi i vendit dhe për atë shkak është i importuar nga jashtë vendit. Qepa është nga Serbia, çmimi blerës është i lartë, marzhe pakës dhe ky është shkaku që arrin çmimin 90 denarë, dhe e blejnë me copë apo nga gjysmë kilogrami”, thotë qytetarja.

E blerësit nga ana tjetër, sic njofton KlanM, duke i pyetur për çmimet e larta se a mund t’i përballojnë për pagat mujore që marrin, thonë që fajin nuk e shohin tek shitësit dhe çmimet e larta pasi gjithçka ka ndikuar që çmimet të rriten që nga mos prodhimi i produkteve vendase e deri tek ikja e të rinjve nga vendi.

“Maqedonia ka më shumë asfalt, pllaka se fusha, nuk u paguhet që të prodhojnë dhe kanë ikur shumë jashtë vendit, hajgerët në anë nuk është situata mirë e më shumë kur nuk i respektojmë ata që punojnë”, tha qytetarja.

Kur jemi te paradoksi i çmimeve, qytetarët janë mjaft kreativ nëpër rrjetet sociale. Nëse doni që në këtë kohë, në tryezën tuaj, ta keni këtë shalqi, duhet të ndani 1.159 denarë apo gati 20 euro.

Ndryshe, përveç çmimit rekord te qepës edhe çmimet e produkteve tjera në treg ishin më çmime të larta e sidomos prodhimet sezonale siç janë domatet dhe trangujt./KlanMacedonia

Gazetar: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share