Identifikohet autori i ngjarjes. Mister motivet
Një person humbi jetën dhe 9 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi i një granate në ndërtesën e Gjykatës Themelore në Podgoricë. Policia malazeze njoftoi se viktima është vetë autori i ngjarjes, i identifikuar si Mladen Bulatoviç.
39-vjeçari, pasi hyri në portën kryesore prej xhami aktivizoi bombën rreth orës 11:35, e cila shpërtheu në vend duke i marrë jetën edhe atij vetë. Policia po heton për arsyet që e nxitën Mladen Bulatoviçin të kryente shpërthimin dhe nëse ka pasur për objektiv persona që ndodheshin në gjykatë.
Mes të plagosurve nga sulmi mbetën 3 gjykatës, 1 avokat, 2 punonjës të institucionit dhe kreu i Dhomës së Avokatëve. Drejtuesit e Gjykatës Themelore janë ankuar shpesh për nivelin e ulët të sigurisë në ambjentet e gjykatës.
Sipas mediave malazeze, më herët gjatë ditës para parlamentit u gjet një letër kërcënuese ku paralajmërohej se do të hidhej në erë e gjithë ndërtesa. Hetusit thanë se letra ndodhej aty që prej të Enjtes, ndërsa është e paqartë nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Tv Klan