81 vite nga holokausti i hebrenjve të Maqedonisë

Me vendosjen e luleve para monumentit të 7.144-të hebrenjve maqedonas të deportuar, në oborrin e ish Monopolit sot në Shkup u shënua 81-vjetori i deportimit të hebrenjve maqedonas në kampin nazist “Treblinka”.

Para 81 viteve, 7.144 hebrenj nga Maqedonia ishin deportuar në kampin e vdekjes “Treblinka” ku ishin vrarë në mënyrën më brutale.

Ambasadorja e Izraelit në Shkup tha se ky 81 vjetor ka një rëndësi tjetër të dhimbshme, duke përmendur ngjarjet e 7 tetorit të vitit të kaluar.

“I pari është tragjedia më e madhe që ka ndodhur në historinë bashkëkohore hebraike, I dyti është dita më e keqe për Izraelin që nga formimi I shtetit tonë. Nuk mund ta injorojmë faktin se nëse ekzistonte shtetit i Izraelit, holokausti ndoshta nuk do të ndodhte”, tha Simona Frankel.

Në aktivitetin qendror komemorativ para Përmendores së hebrenjve të deportuar në Monopolin e Shkupit, Kryeministri Talat Xhaferi theksoi se nuk gjenden këtu për të hapur plagët nga e kaluara, por të dërgojnë mesazhin që gjëra të këtillë të mos ndodhin kurrë.

“Prandaj sot, i bashkohemi JO-së të zëshme të botës demokratike të cilës i përkasim, JO-së për cilëndo formë të jotolerancës, antisemitizmit, fashizmit. JO, për të gjitha format moderne të agresionit, përmes përjashtimit dhe gjuhës së urrejtjes, të motivuar nga motivet nacionale, etnike, fetare apo të tjera të racizmit, denigrimit, ksenofobisë dhe diskriminimit”, tha Talayt Xhaferi.

Ngjarja në Shkup është pjesë e programit triditësh komemorativ 1943-2024 në organizim të Komunitetin Hebraik në vend dhe Fondit të holokaustit të Hebrenjve në Maqedoni që realizohet me moton “Kujtime – 11 marsi, holokausti i Hebrenjve nga Maqedonia”.

Morën pjesë edhe Presidenti, Stevo Pendarovski, përfaqësues të Kuvendit dhe Qeverisë si dhe përfaqësues të korit diplomatik në vend./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share