60 vjet nga themelimi i Kushtetueses/ Ageler: Të ndalet presioni politik ndaj pushtetit gjyqësor!

Presioni i jashtëm ndaj gjykatësve në Maqedoninë e Veriut duhet të ndalojë, porositi ambasadorja amerikane Angela Ageler, gjatë fjalimit të saj në konferencën e përvjetorit të Gjykatës Kushtetuese, duke aluduar në presionin politik ndaj gjyqësorit.

Diplomatja amerikane tha se, duhet të respektohet pavarësia e gjykatësve dhe ata duhet të jenë të çliruar që të praktikojnë të drejtën.

“Duke pasur parasysh faktin se, edhe ju edhe ne jemi para zgjedhjeve, pavarësia e gjyqësorit është thelbësore, vitale dhe kyçe, siç ka qenë çdoherë. Vetëm pavarësia e gjyqësorit mund ta shpëtojë sundimin e ligjit dhe rendin demokratik. Gjykatësit duhet të veprojnë me balancë dhe me integritet. Besoj fuqishëm se, për të mirën e vendit, presioni ndaj gjyqësorit duhet të ndalojë. Gjykatësit duhet të miratojnë vendime të bazuara në ligj dhe jo të bazuara në presionet nga jashtë”, tha Angela Ageler.

Duke folur për kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, numri një i këtij institucioni, Dobrilla Kacarska, kërkoi na krerët shtetëror që të ndikojnë ndaj proceseve të plotësimit dhe përforcimit të kësaj gjykate. Ajo po ashtu, inkurajoi qytetarët të kërkojnë mbrojtje juridike nga Gjykata Kushtetuese.

“Nevojitet nevoja e zgjerimit të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese në pjesën e mbrojtjes individuale. Në teorinë kushtetuese juridike ajo mundësi është e definuar si padi kushtetuese apo ankesë kushtetuese, ajo do të nënkuptonte mbrojtje të të gjitha lirive dhe të drejtave të qytetarëve. në tre dekadat e kaluara, qytetarët janë të kufizuar të kërkojnë mbrojtje kushtetuese si individë”, tha Dobrila Kacarska.

Edhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski tha se, Gjykata Kushtetuese duhet të profilizohet në mënyrë më aktive si mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe një mënyrë për t’u arritur kjo, sipas tij, është vendosja e padisë kushtetuese si mjet juridik për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive.

“Edhe pse, deri më tani ka pasur disa iniciativa për ndryshim të kushtetutës sonë në këtë drejtim, fatkeqësisht, disa përbërje parlamentare nuk mblodhën forcat për ta bërë ata, ndërsa diskutimi për ndryshime të Kushtetutës, me qëllim, vendosjen e padisë kushtetuese, përfundonte me truke për çështje krejtësisht tjera që nuk ndërlidhen me këtë temë”, tha Stevo Pendarovski.

Gjykata Kushtetuese shënoi 60 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast edhe u mbajt konferenca “Mbrojtja kushtetuese-gjyqësore e lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes publike të mendimit”. Kacarska gjatë kësaj konference konstatoi se, vullneti i sundimit të ligjit është më i fuqishëm se të gjithë anomalitë e sistemit politik./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share