Gjashtë viktima, shkatërrime të konsiderueshme dhe zona të tëra të izoluara si lagjja periferike e Shën Thomait në periferinë perëndimore të Larisës, janë pasojat katastrofike të lëna pas nga stuhia Daniel që për 3 ditë me radhë gjunjëzoi rajonin e Thesalisë në Greqinë qëndrore.
Stuhia tashmë është tërhequr, por numri i viktimave mund të thellohet. Autoritetet thonë se shumë persona rezultojnë të zhdukur, por nuk ka ende një numër të saktë të tyre.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë. Punonjësit e ekipeve të emergjencës janë në luftë me kohën për të larguar banorët e shumtë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre mes ujërave. Në fshatrat përgjatë lumit Pinios, ndërtesat veçanërisht ato një-katëshe janë nën ujë.
Guvernatori i Thesalisë Kostas Agorastos tha se prej të martës, të paktën 1800 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Përllogaritet një sipërfaqe e jashtëzakonshme deri në 750 mijë hektarë tokë e përmbytur, siç dallohet edhe në këtë hartë. Ndërsa dëmet materiale mund të arrijnë në më shumë se 2 miliardë Euro.
Tv Klan