Zhduket qyteza historike Lahaina
Hauai po përballet me një nga katastrofat më të rënda në historinë e arkipelagut, që është pjesë përbërëse territoriale e Shteteve të Bashkuara.
Shkak, zjarret që po shkrumbojnë prej më shumë se një jave ishullin Maui, që deri më tani kanë shkaktuar një bilanc tragjik si në njerëz ashtu edhe në dëme materiale.
Numri i të vdekurve të konfirmuar ka arritur në 55, por me shumë gjasa bilanci pritet të rritet, pasi me dhjetëra janë të zhdukurit, në zonat që flakët i kanë shndërruar në shkrumb e hi. Përmasat e shkatërrimeve të lëna pas nuk kanë nevojë për koment kur sheh këto pamje.
80% e qytezës historike bregdetare Lahaina me mbi 12 mijë banorë tashmë nuk ekziston ndërsa janë me mijëra personat e evakuuar. Në pjesën perëndimore të ishullit, 11 mijë banorë janë pa energji elektrike.
Zjarrfikësit vijojnë betejën me flakët e ushqyera edhe nga Uragani Dora. Presidenti Biden shpalli gjendjen e “Katastrofës së Madhe” duke vënë në dispozicion fonde për operacionet e shpëtimit dhe rimëkëmbjen e ishullit.
Tv Klan