5 të vrarë në një shtëpi për të moshuar në Kroaci

5 persona u vranë të hënën në shtëpinë për të moshuar në qytetin Daruvar, pjesa qendrore e Kroacisë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Jo zyrtarisht mësohet se një burrë hyri në këtë shtëpi dhe qëlloi me armë zjarri. Sipas informacioneve fillestare, 5 persona mbetën të vdekur në vendngjarje, ndërsa disa janë ende nën trajtim mjekësor.

Mediat shtojnë se autori iku nga vendi i ngjarjes, por u kap shumë shpejt nga policia.

“Personi që është i lidhur me krimin, është nën mbikëqyrjen e policisë. Në vendngjarje do të kryhet një hetim i drejtuar nga zëvendësi i prokurorisë së qarkut Bjellovar”, tha policia.

Televizioni rajonal N1 raportoi se sulmuesi është i lindur në vitin 1973, se ka qenë luftëtar në luftën e viteve ’90 në Kroaci dhe se është i afërm i njërit prej banorëve në shtëpinë e të moshuarve.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

“Krimi i egër dhe i paprecedentë në Daruvar më tronditi. Është një paralajmërim i tmerrshëm dhe një thirrje e fundit për të gjitha institucionet kompetente, që të bëjnë më shumë për të parandaluar dhunën në shoqëri, duke përfshirë kontrolle edhe më rigoroze të armëmbajtjes“, shkroi Millanoviç në Facebook.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, tha se është “i tmerruar nga vrasja e 5 personave në shtëpinë e të moshuarve në Daruvar”. “Pres që organet kompetente të përcaktojnë të gjitha rrethanat e këtij krimi të tmerrshëm“, tha ai.

Daruvari është një qytet me një popullsi prej 8.500 banorësh. Ai gjendet rreth 130 kilometra në lindje të kryeqytetit Zagreb.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share