Përmirësohet gjendja shëndetësore e 41 turistëve polakë të cilët përfunduan në spital me shenja helmimi. Ata kanë lënë ambientet e spitalit të Vlorës ndërsa u është ndaluar të udhëtojnë drejt Shkodrës dhe janë akomoduar në qytetin bregdetar me sugjerimin e autoriteteve shëndetësore.
22 prej pacientëve u larguan nga spitali në orët e mbrëmjes së të premtes ndërsa mes të shtruarve kishte edhe fëmijë. Janë marrë mostrat të cilat do të analizohen për të nxjerrë shkakun e helmimit.
Në lidhje me këtë rast autoritetet njoftojnë se kanë gjobitur edhe kompaninë e lundrimit e cila ka anijen “Perla e Zezë” me të cilën realizohet turi i Sazan-Karaburunit. Kjo kompani ofron gjatë udhëtimit edhe shërbimin catering dhe paraprakisht mendohet se helmimi i turistëve ka ndodhur nga konsumimi i ushqimit ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që shkak të jetë bërë ekspozimi për një kohë të gjatë në diell.
Turistët polakë ishin nisur nga Shkodra dhe kishin shkuar në Vlorë për një tur një ditor.
Klan News