32 vite nga bashkimi i dy Gjermanive

‘Bashkimi Gjerman është një dhuratë për ne të gjithë”. Kështu është shprehur kryetarja e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey në përvjetorin e 32-të të bashkimit gjerman.

“Pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit si një rast unik fatlum i historisë, vendi ynë, Europa dhe e gjithë bota u zhvillua për mirë. Këto arritje duhen mbrojtur, theksoi kryebashkiakja.

‘Sërish një”, me këto fjalë ambasada gjermane në Tiranë, kujtoi 32-vjetorin e bashkimit të dy Gjermanive, Republikës Demokratike Gjermane dhe Republikës Federale Gjermane.

Bashkimi i Gjermanisë u bë realitet pas pothuaj 1 viti nga rënia e Murit të Berlinit, që nisi më 9 nëntor 1989.

Më shumë se 300 ditë, me aktivitet të ngjeshur diplomatik, u deshën për të realizuar bashkimin e dy anëve sa të ndryshme politikisht e po aq të ngjashme nga ana humane.

Muri kishte ndarë familje, miq, kishte ndarë një komb.

Historianët i njohin meritat, jo vetëm qytetarëve të Berlinit të ndarë, kancelarit gjerman të kohës, Helmut Kohl, por edhe liderit sovjetik Mikhail Gorbaçov, i cili u nda nga jeta gushtin e kaluar.

Shembja e Murit dhe bashkimi i dy Gjermanive, ishin sinjal për ndryshimin e sistemeve komuniste në vendet e Europës Lindore, përfshirë edhe vendin tonë.

Bashkimi i Gjermanisë, çdo vit kremtohet më 3 tetor me ceremoni zyrtare, edhe pse këtë vit, festimet janë nën hijen e luftës dhe krizës së çmimeve të energjisë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share