3 ditë para vdekjes, del video e re e Prigozhin

Kreu i Wagner bën ironi me vdekjen e tij

Pavarësisht konfirmimit nga ekspertiza mjeko-ligjore në Rusi, vdekja e Yevgeni Prigozhinit vijon të shkaktojë konfuzion. Kanali “Grey Zone” në rrjetin social Telegram, i lidhur me mercenarët e Wagnerit që drejtoheshin prej tij publikoi një video të re, ku Prigozhin ironizon zërat që thonë se ai ka vdekur.

“Për të gjithë ata që diskutojnë, nëse unë jam gjallë apo jo, kjo është fundjava e parë e gjysmës së dytë të Gushtit 2023. Jam në Afrikë. Fansat diskutojnë për eliminimin tim …”

Siç le të kuptohet vetë Prigozhin, filmimi ku shfaqet duke udhëtuar në një automjet, është xhiruar në datën 20 Gusht 2023, 3 ditë para rënies së avionit privat të tij në afërsi të Moskës, një fakt që nuk le hapësirë për spekullime për vdekjen e tij. Në fillim të javës së kaluar ai u shfaq edhe në një tjetër video po në Afrikë ku thoshte se ishte për të mbrojtur interesant e Rusisë.

Megjithatë, ky kanal mbron hipotezën se ish-kreu i Wagnerit nuk ka qenë në avionin që ra, por udhëtonte paralelisht nga Moska drejt Shën Pjetërburgut në të njëjtën ditë me një tjetër avion privat në pronësi të Prigozhinit. Kjo ka ushqyer edhe shumë mbështetës të teorive të konspiracionit të besojnë se vdekja e tij ishte e rreme, edhe pse atë e ka pranuar edhe vetë Vladimir Putin, i shndërruar në kundërshtarin e tij kryesor që pas rebelimit të lënë përgjysmë të 23 Qershorit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share