Më shumë se 298,000 njerëz në Siri u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pas tërmetit shkatërrues, njoftoi sot Ministri sirian i Administratës Lokale dhe Mjedisit Jetësor Husein Mahluf.
Ai tha se numri i viktimave nga tërmeti deri më tani ka arritur në 1.262, dhe se 2.258 persona janë lënduar në pjesët e Sirisë që janë nën kontrollin e qeverisë siriane, raportoi Si-En-En.
“Vendi ynë nuk është në gjendje të përballet me fatkeqësi të tilla, veçanërisht për shkak të humbjes së 50.000 makinave dhe pajisjeve ndërtimore për shkak të luftës, të cilat na duhen dëshpërimisht në këtë fatkeqësi”, tha Mahluf në një konferencë për shtyp në Damask.
Ai theksoi se qeveria ka hapur 180 strehimore për personat e zhvendosur.
Në territorin e gjithë Sirisë, të paktën 2.530 njerëz vdiqën nga tërmeti shkatërrues që goditi atë vend dhe Turqinë.