SHQIPTARËT FAKTOR I RËNDËSISHËM I PAQËS DHE STABILITETIT NË RAJON
Kryeparlamentari Talat Xhaferi në emër të deputetëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij ka uruar shqiptarët për festën kombëtare shqiptare, 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe Dita e Pavarësisë.
“Jetojmë në kohëra sfiduese në çdo aspekt dhe shqiptarët, bashkë me të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë guri i konsolidimit të forcës së prosperitetit dhe ndërtimit të shoqërisë me vlera universale të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Talat Xhaferi.
Historia e qëndresës u shkrua me gjakun e dëshmorëve e martirëve, në atë gjak ka burimin përjetësia jonë, ndaj të pathyeshëm e krenar kemi qëndruar gjithmonë – thuhet në urimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Liri e barazi kërkonim në çdo etapë të ekzistencës kombëtare, gjuhë e flamur të paprekshëm, shkolla që të arsimonim vegjëlinë, asgjë më tepër se kjo, të drejtë ishim në qëllimet dhe ja ku jemi, të lidhur shpirtërisht përtej kufijve dhe në shërbim të përparimit të kombit tonë”, tha Ali Ahmeti.
Gëzuar festën e Flamurit! – ka shkruar në Facebook kreu I ASH-së, Arben Taravari, duke shpërndarë edhe një video nga Manifestimi në Gostivar të Festës së Flamurit.
“Komuna e Gostivarit, e këtij qyteti që e valëviti flamurin shqiptar, atëherë kur askush nuk guxonte në Maqedoni, është zgjedhur të parakalojë në paradën qendrore të në Tiranën e gjithë shqiptarëve” – thuhet në një video promovuese të postuar në profilin në Facebook të Taravarit, me mbishkrimin “Në Tiranë për Flamur”.
28 Nëntorin e ka uruar edhe kreu I Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, duke paralajmëruar tubimin e Tetovës.
“MIRËMËNGJES SHQIPTARË KUDO QË NDODHENI! Gëzuar përvjetorin e 111 të Flamurit më të bukur në botë! Sonte, të gjitha rrugët çojnë në TETOVË. SHIHEMI! – thuhet në urimin e Izet Mexhitit.
28 Nëntori është një rast për të nderuar sakrificën që shumë gjenerata bënë për lirinë dhe për shtetin e pavarur, për përpjekjet e tyre për ta konsoliduar pavarësinë e shpallur të kombit tonë dhe për t’i çliruar trojet e tjera shqiptare – thuhet në urimin e kreut të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
“Sot, jemi krenar që ne si shqiptarë jemi faktorë të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit në rajon dhe më gjerë. Gëzuar 28 Nëntorin” – shkruan Kasami.
Festën e Flamurit e ka uruar edhe kreu I Alternativës, Afrim Gashi, kreu I Lëvizjes Populli – Skender Rexhepi si dhe kreu I PDSH-së, Menduh Thaçi.
Ndërkaq, LSDM-ja ka ndarë pamje me rastin e pritjes së Ambasadës së Shqipërisë në Shkup për nder të 28 Nëntorit por edhe 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Maqedoni – Shqipëri./KlanMacedonia