Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, ka vizituar sot Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, përcjell KlanM.
Takimi filloi rreth orës 16:00, njoftoi media në gjuhën serbe Kosovo online.
Në këtë takim marrin pjesë drejtuesit e lartë të Listës Serbe, duke përfshirë kryetarin Goran Rakiq dhe nënkryetarin Igor Simiq, ish-kryetarin e Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, si dhe drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore nga Republika e Kosovës.
Siç thonë në Listën Serbe, takimi me Grenelin nuk ishte paralajmëruar më herët për arsye sigurie, përcjell KlanM.
Gjatë krizës së fundit në veri të Kosovës, Grenell kritikoi disa herë veprimet e autoriteteve të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti për shkak të refuzimit të tyre të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të SHBA-së dhe BE-së për de-përshkallëzimin e situatës.
Ai po ashtu i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë policinë speciale nga ndërtesat komunale në veri, që kryetarët e sapozgjedhur të punojnë nga lokacione alternative dhe zgjedhjet e reja të mbahen menjëherë me pjesëmarrjen e plotë të serbëve./KlanMacedonia