Arrestimi i Millenkoviqit dhe heshtja e Prokurorisë për “listën” e Kurtit

Millun Millenkoviq u arrestua pasditen e 13 qershorit nën dyshimet se ka organizuar sulme kundër ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Tensionet në këtë zonë janë të larta qysh në fund të muajit maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në objektet komunale, që shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe.

Situata u përshkallëzua në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe Policisë së Kosovës.

Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, më 2 qershor, kryeministri i vendit, Albin Kurti, përmendi emrat e disa personave, që, siç tha, bartin përgjegjësi për organizim dhe shkaktim të dhunës në veri, por jo edhe atë të Millenkoviqit.

Kurti, ndërkohë, kritikoi Prokurorinë e vendit për “mosveprim”, por ajo nuk e komentoi listën e tij me emra.

Për dhunën në Zveçan, më 29 maj, u arrestuan më herët pesë persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi paraburgim prej një muaji vetëm për dy prej tyre.

Kush është Millun Millenkoviq?

Millenkoviq është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pak kohë pas arrestimit të tij.

“I njëjti ka qenë edhe organizator kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, tha Sveçla.

Aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e tij u zhvillua në Mitrovicë të Veriut.

Për aktivitetet e Millenkoviqit në internet nuk ka shumë informacione publike.

Merret vesh se ai është trajner i klubit të kikboksit “Kosovska Mitrovica” (“Mitrovica e Kosovës”) dhe se ka marrë pjesë në emisione televizive në Serbi.

Sipas intervistave që ka dhënë Millenkoviq, ky klub e ka bazën në pjesën veriore të Kosovës dhe ka më shumë se 100 anëtarë.

REL-i nuk mundi të identifikojë në mënyrë të pavarur asnjë nga profilet e Millenkoviqit në rrjete sociale.

Në fotografi të ndryshme të garave sportive, Millenkoviq bashkë me sportistë të tjerë shihen me flamuj ku shkruan “Kosova është Serbi”.


Sipas pamjeve, në zyrat e klubit ka edhe disa fotografi dhe flamuj me mbishkrimin: “Nuk ka dorëzim”.


Kjo thirrje është shkruar edhe nëpër hapësira të ndryshme publike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – bashkë me thirrje të ngjashme për kundërshtimin e autoriteteve të Kosovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share