Miratimi i ndihmës financiare prej 15 milionë denarëve për Vardarin nga ana e Këshillit të Qytetit të Shkupit ka shkaktuar reagime në opinion e sidomos tek klubet tjera të kryeqytetit. Njëri ndër ta, Drejtori Sportiv i FC Shkupi nga Çairi, Omer Bunjaku përmes një shkrimi ka thënë se jo të gjithë shkupjanët duan që ta financojnë Vardarin nga taksat e tyre.
“Këshilli i Qyteti të Shkupit si duket po harron se nuk ka të drejtë të bëjë ndarje mes klubeve. E them këtë, se në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, vetëm nga Qyteti i Shkupit, për momentin garojmë katër klube, FC Shkupi, FC Makedonija Gj.P., Rabotniçki dhe Skopje, ndërsa pikërisht këshilli i qyteti të Shkupit, me dorëzimin e amandamentit nga ana e këshilltarëve te VMRO dhe një pjesë e këshilltarëve të SDSM ka vendosur që me 15.000.000 denarë të ndihmojë klubin e Vardarit, që po garon në Ligën e Dytë, ndërsa po ky klub tani më nuk është i qytetit, por është në pronësi private. Vallë a kanë harruar të zgjedhurit e popullit në kuvendin e qytetit (në përjashtim të shqiptarëve, të cilët nuk e kanë mbështetur), se jo të gjithë shkupjanët e duan Vardarin dhe se nuk duan që parat nga taksat e tyre të shkojnë në klubin që fare nuk ka të bëjë me ta. As unë që i paguaj taksat, nuk dua që të sponsorizoj dhe financoj klubin e Vardarit, hiç më pak kur edhe ne si klub që garojmë në Ligën e Parë kemi nevojë të madhe që të ndihmohemi nga buxheti i qytetit, arkën e të cilit e mbushin edhe me parat tona”, shkruan Omer Bunjaku./KlanMacedonia