-Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
-Mbi 3.6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.
-Për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë, në garë janë 144 kandidatë.
-Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi.
-Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.
Ora 08:00 – Nis me problematika votimi në disa qendra në Qarkun e Dibrës
Ka nisur me problematika procesi i votimit në disa qendra votimit në Qarkun e Dibrës.
Në qendrën e votimit 1101 në Maqellarë mungon proces-verbali i hapjes së kësaj qendre votimit.
Në Kastriot, në një qendër votimit nuk ka energjie elektrike.
Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 qendra votimi nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar manualisht.
Ora 07:51 – “Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë”
Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë. Informacionin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan News Klesiana Omeri.
“Një tjetër problematikë është dhe për numrin e operatorëve teknikë, në rreth 100 qendra e votimi në vend nuk kanë asnjë operator teknik. Rreth 100 prej tyre janë tërhequr nga aplikimi dhe marrëveshja që kanë bërë me KQZ, pritet që në këto qendra votimi të kryhet në mënyrë tradicionale. S’ka informacion nëse janë zëvendësuar komisionierët në qendrat ku ka pasur problematika, sepse thuhet se dhe me 4 komisionerë mund të funksionojë, problematike janë 17 qendra me 3 anëtarë.”
Po ashtu, gazetarja bën me dije se këtë mëngjes ka pasur probleme dhe me pajisjen e identifikimit biometrik në disa qendra në kryeqytet.
“Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur dhe procesi i votimit për qytetarët, ndërkohë KQZ ende nuk ka një njoftim zyrtar se në sa qendra ka problematika me sistemin e pajisjes, në një prej tyre ku ka shkuar të votojë dhe Ilirjan Celibashi dhe është hasur me problematika me pajisjen e identifikimit biometrik”, deklaroi gazetarja.
Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një njoftim zyrtar. Mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote ftohen këtë të Dielë të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive të vendit mes 144 kandidatëve.
Ora 07:42 – Gjiknuri mesazh për qytetarët: Dilni masivisht në votime, vendosni për fatin e bashkive tuaja
Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri iu është drejtuar me një mesazh të gjithë qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të vendosin për fatin e bashkive të tyre.
Në mesazhin e tij, Gjiknuri ka bërë thirrje që të gjithë strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur fushatën zgjedhore.
Damian Gjiknuri: Sot është 14 Maji, një ditë që është kushtrimi i votës tuaj. Dua të ju bëj thirrje të dilni masivisht në votime dhe të merrni pjesë për të vendosur për fatin e bashkive tuaja. Gjatë kësaj fushate që ka qenë një fushatë shumë e qetë dhe shumë qytetare, ajo që fitoi në këtë fushatë ka qenë qetësia, maturia dhe qytetaria, shpresojmë që kjo gjë të shkojë deri në fund dhe të gjitha strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur një fushatë të mrekulleshme që i ka pasur hije këtij qarku. Më e rëndësishme është të vendosni për fatin e familjeve tuaja dhe çdo shqiptar do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për të ecur përpara.
Ora 07:38 – Incident në Kolonjë, dhunohet kandidati i PS Erion Isai
Kryebashkiaku i Kolonjës dhe kandidati i PS për një tjetër mandat në këtë bashki, Erion Isai është goditur fizikisht në mesnatë.
Siç mëson korrenspondentja e Klan News Danjela Zisi, kryebashkiaku ka qenë në fshatin Qinam duke u kthyer në banesën e vet, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ethem Lumani së bashku me disa simpatizantë të opozitës kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar.
Njëri nga simpatizantët e PD, Esmerald Kacolli, që kishte bllokuar rrugën i është afruar Isait duke e goditur me grusht në fytyrë. Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i Bashkisë Kolonjë ka denoncuar rastin në komisariatin e policisë.
Ndërsa sipas shtabit të kandidatit të opozitësm këta të fundit kishin marrë një informacion që në fshatin Qafëzez, Erion Isai me stafin po kryenin fushatë dhe se po shpërndanin para. Grupi i mbështetësve të opozitës ka shkuar në fshat. Mes palëve ka patur shtyrje. Truprojat e Isait kanë shtyrë kandidatin e koaliconit “Bashkë Fitojmë”, E’them Lumani, po ashtu edhe kryetarin e PS Aldo Xhelili. Në këtë moment ka ndërhyrë një nga simpatizantët e koalicionit opozitar dhe ka goditur kryebashkiakun Erion Isai. Shoqëruesit e këtij të fundit njoftuan policinë për incidentin.
Për ngjarjen është bërë denoncim edhe nga ana e kandidatit Lumani.
Pas veprimeve proceduriale të policisë, Xhemal Kalo është proceduar penalisht në gjendje të lirë për pëngimin e qarkullimit të automjeteve. Ndërsa Esmeraldo Kacolli është arrestuar për akuzën e goditje për shkak të detyrës ndaj kryebashkiakut të Kolonjës Erion Isai.
Ora 07:00 – Nis zyrtarisht procesi i votimit
Janë hapur qendrat e votimit në Shqipëri, sipas orarit zyrtar për të votuar. Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit nga ky moment e deri në orën 19:00 kur dhe mbyllet ky proces, e më pas nis ai i numërimit të votave.
Në zgjedhjet vendore të 14 Majit votohet për 61 kryetarë bashkie dhe për këshillat bashkiakë. Janë mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote që do të zgjedhin mes 144 kandidatëve për kryebashkiakë.
Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.
Për një vend në këshillat bashkiakë janë regjistruar 23 mijë e 700 kandidatë për 1603 pozicione. 44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga të cilat 38 janë jashtë koalicioneve.
REDAKSIA TVKLAN.AL